Bota

Droni rus godet Rumaninë, 2 të plagosur!

Një dron rus goditi një pallat 10-katësh të banuar në Rumani, vend anëtar i NATO-s. Ministria rumune e Mbrojtjes sqaroi:

Gjatë natës mes 28 dhe 29 majit, Federata Ruse rifilloi sulmet me dronë kundër objektivave civile dhe infrastrukturës në Ukrainë, pranë kufirit lumor me Rumaninë.

Njëri prej këtyre dronëve hyri në hapësirën ajrore rumune, u ndoq nga radarët deri në pjesën jugore të qytetit Galați dhe u përplas në tarracën e një pallati, duke shkaktuar zjarr.

Shërbimet e emergjencës sqaruan se dy persona mbetën të plagosur.

Bukureshti zyrtar denoncoi “një përshkallëzim të rëndë e të papërgjegjshëm” nga ana e Rusisë, pasi droni rus u përplas me një ndërtesë, duke plagosur lehtë dy persona, në Galați, qytet i Rumanisë lindore pranë kufirit me Ukrainën.

Rumania ka informuar aleatët dhe Sekretarin e Përgjithshëm të NATO-s për situatën, duke kërkuar të merren masa për të përshpejtuar transferimin e kapaciteteve kundër dronëve në Rumani.

NATO deklaroi se do të forcojë mbrojtjen kundër të gjitha kërcënimeve.

Ne dënojmë papërgjegjshmërinë e Rusisë dhe NATO do të vazhdojë të forcojë mbrojtjen e saj kundër të gjitha kërcënimeve, përfshirë dronët, shkroi Aleanca në X.