Presidenti i Këshillit Europian, Antonio Costa, sot viziton Kosovën. Gjatë pasdites, pritet të takohet me presidenten Vjosa Osmani dhe me kryeministrin në detyrë, Albin Kurti. Costa shkon në kohën kur ligjvënësit nuk kanë arritur të konstituojnë Kuvendin pas zgjedhjeve të 9 shkurtit, duke dështuar në 15 përpjekje. Qeveria Kurti ende është në detyrë, deri në formimin e një ekzekutivi të ri kur të konstituohet Parlamenti.
Po ashtu, kjo vizitë zhvillohet në kohën kur liderët kosovarë po shtojnë thirrjet drejtuar Bashkimit Europian për heqjen e masave ndëshkuese të vendosura pas tensioneve në veri të vendit. Këto masa mbeten në fuqi, me arsyetimin se Kosova nuk ka ndërmarrë hapa të mjaftueshëm për shtensionimin e situatës në komunat me shumicë serbe.
Një ditë më parë, Costa qëndroi në Serbi e në Bosnjë-Hercegovinë. Gjatë një konference për media me presidentin serb, Aleksander Vuçiç, theksoi se dialogu me Kosovën është kyç për anëtarësimin e Serbisë në BE, si dhe shtoi se është po aq i rëndësishëm qëndrimi i qartë për dënimin e agresionit rus ndaj Ukrainës.
Sa i përket vizitës së Vuçiçit në Moskë për festën e Ditës së Fitores, pavarësisht mesazheve nga Brukseli që i kërkonin të mos shkonte, Costa deklaroi se Vuçiç i shpjegoi se shkoi për të festuar një ngjarje historike.
Nuk mund ta ndryshojmë historinë, e kuptoj plotësisht që Serbia feston çlirimin, por nuk mund ta festojmë këtë pa dënuar pushtimin aktual në një shtet tjetër.
Në Sarajevë, shprehu shqetësim për ato që i quajti, “veprime ndarëse të Republikës Sërpska”, duke i cilësuar “kërcënim për stabilitetin dhe të ardhmen europiane të Bosnjë-Hercegovinës”.
Pas Kosovës, Costa do të vizitojë Maqedoninë e Veriut, si dhe Shqipërinë, ku pritet të marrë pjesë në Samitin e Komunitetit Politik Europian. Liderët e BE-së zgjodhën portugezin Antonio Costa si president të Këshillit Europian, detyrë të cilën e mori më 1 dhjetor të vitit të kaluar.