Aktualitet

Më 16 maj udhëheqësit europianë mblidhen në Tiranë, të ftuarit e sytë nga Vuçiç e Fico!

Më 16 maj, udhëheqës nga e mbarë Europa do të mblidhen në sheshin “Skënderbej”, në qendër të Tiranës, për samitin e Komunitetit Politik Europian (KPE). Ide e presidentit të Francës, Emmanuel Macron, si përgjigje e drejtpërdrejtë ndaj luftës në Ukrainë, KPE-ja mblidhet në nivelin më të lartë dy herë në vit. Kryesuesi i saj ndërrohet ndërmjet 27 vendeve anëtare të Bashkimit Europian dhe 20 vendeve që s’bëjnë pjesë në BE.

Tani është radha e Shqipërisë dhe ngjarja do të jetë njëfarë arritjeje kulmore për kryeministrin Edi Rama. Në pushtet që nga viti 2013, ai tashmë është një prej drejtuesve më me përvojë ndërsa takimi do të mbahet vetëm pesë ditë pas zgjedhjeve parlamentare, ku sërish doli e para Partia e tij Socialiste.

Brukseli e vlerëson lart Ramën, ndërsa zyrtarët e BE-së e lavdërojnë për aftësitë diplomatike dhe mprehtësinë e tij. Pasqyrim i kësaj është fakti se Shqipëria, brenda një viti ka hapur shumicën e kapitujve të negociatave për anëtarësim në BE, teksa pritet të hapë më shumë të tjerë deri në fund të këtij muaji.

Çfarë është Komuniteti Politik Europian?

KPE-ja nuk është organizëm i BE-së, as nuk është zëvendësim për anëtarësimin në BE, siç frikohen disa vende që aspirojnë t’i bashkohen Bllokut. Në thelb është forum për diskutime që nuk prodhojnë zyrtarisht rezultate konkrete apo komunikata përfundimtare. Nuk ka vend të përhershëm apo sekretariat.

Samiti zhvillohet pa shumë ndihmës dhe këshilltarë të akredituar, çka mundëson shumë takime e grumbullime të shpejta diplomatike, me ushqim e pije me bollëk. Tubimi ofron “një liri e kreativitet në jetën e tyre kryesisht të strukturuar”, siç u shpreh një diplomat.

Udhëheqësit e BE-së të ftuar në samitin e KPE-së

Në samitet e mëparshme të KPE-së pati orvatje politike për të bërë bashkë në një tavolinë udhëheqësin e Armenisë dhe atë të Azerbajxhanit, në shoqërinë e liderëve të Francës e Gjermanisë, por të tilla përpjekje nuk priten këtë herë, ndonëse ato nuk mund të përjashtohen.

Kush do të vijë?

Deri më tani, askush nuk e ka refuzuar ftesën që i ka shkuar të gjitha vendeve europiane, me përjashtim të Bjellorusisë, Rusisë e Vatikanit. Pjesëmarrës do të jenë kryetarët e Këshillit, Komisionit dhe Parlamentit Europian, ashtu si dhe sekretari i Përgjithshëm i NATO-s, Mark Rutte. Pritet të marrë pjesë edhe presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, nëse një gjë e tillë nuk konfirmohet deri në minutën e fundit.

Pritet të jetë interesante të shihet se cila do të jetë qasja e udhëheqësve kundrejt presidentit të Serbisë, Aleksander Vuçiç dhe kryeministrit të Sllovakisë, Robert Fico, të cilët morën pjesë në paradën për Ditën e Fitores në Moskë, më 9 maj, duke qëndruar përkrah Vladimir Putinit./Evropa e Lirë