Ministri i Administrimit të Pushtetit Lokal të Kosovës, Elbert Krasniqi, tha se dorëheqja e kryetarëve shqiptarë të katër komunave me shumicë serbe në veri është kërkesë vetëm e Beogradit. Komentet i bëri pas deklaratës së emisarit amerikan, Gabriel Escobar se dorëheqja e tyre është rruga më e mirë për zgjedhjet e parakohshme në veri. Krasniqi theksoi:
Nuk jemi këtu për t’u përkujdesur për kërkesat e Beogradit. Kryetarët mund të largohen nga zyrat vetëm përmes një udhëzimi të ri administrativ. Në të kaluarën, kryetarët në veri kanë qenë në dispozicion të Listës Serbe dhe grupeve kriminale e asnjëherë në dispozicion të qytetarëve. Udhëzimi administrativ është proces demokratik dhe gjithçka tjetër nuk është kërkesë e qytetarëve atje, as kryetarëve të komunave, janë kërkesa të Beogradit.
Kryetarët shqiptarë në Mitrovicën e Veriut, Zveçan, Zubin Potok e Leposaviç morën detyrën pas zgjedhjeve të prillit, të cilat u bojkotuan dhe u kundërshtuan ashpër nga serbët, duke shkaktuar tensionim të situatës.
Më pas, BE-ja vendosi disa masa ndëshkuese ndaj Kosovës për shkak të mospërmbushjes së kërkesave. Po ashtu, Amerika njoftoi se Prishtina nuk do të marrë pjesë në stërvitjet ushtarake të NATO-s, Defender Europe 23.
Kosova është zotuar për riorganizimin e zgjedhjeve, por dëshiron që këtë ta bëjë përmes një udhëzimi administrativ që u mundëson qytetarëve t’i shkarkojnë kryetarët e komunave të tyre përkatëse përmes një peticioni.
Krasniqi përsëriti:
Masat ndëshkuese nuk janë të drejta për Kosovën. Si Kosovë jemi të përkushtuar për përmbushjen e obligimeve që kemi. Dakordimet në Bratisllavë jemi duke i përmbushur. Pothuajse janë të përmbushura të gjitha, si tërheqja e policisë dy herë nga 20% dhe udhëzimi administrativ. Pjesa tjetër është pjesë e demokracisë dhe ia lamë në dorë qytetarëve.
Në korrik, Kosova dhe Bashkimi Europian ranë dakord për hapat që duhet të ndërmerren për shtenisionimin e situatës, përfshirë reduktimin e pranisë policore në komunat veriore dhe mbajtjen e zgjedhjeve të reja.