Kreut të Kishës Ortodokse serbe, patriarkut Porfirije iu kërkua të dënojë apo distancohet nga “veprimet e pjesëtarëve të Kishës që po i ofrojnë përkrahje grupeve kriminale në veri të Kosovës”, “përgjegjës për barrikadat”. Kështu shprehet Ministria e Punëve të Jashtme dhe Diasporës së Kosovës, ndërsa më 23 dhjetor, kleriku kërkoi të qëndrojë në Kosovë për tre ditë (26-28 dhjetor).
Pra, kërkesa për vizitë e Patriarkut Porfirije nuk është refuzuar siç po propagandohet nga Kisha Ortodokse Serbe [KOS] dhe mediat serbe, por është ndërlidhur me deklaratën paraprake të distancimit nga veprimet dhe aktet e lartpërmendura.
Prifti ortodoks, Predrag Popoviç nga Kisha e Shën Bartolomeut dhe Barnabas pranë Beogradit, pranoi se të martën e javës së shkuar kaloi ilegalisht kufirin me Republikën e Kosovës. Duke përdorur rrugët anësore për t’iu shmangur patrullave të KFOR-it, vizitoi protestuesit te barrikadat në Leposaviç.
Kisha Ortodokse Serbe tha se Porfirije “u trondit: kur mori lajmin se autoritetet në Kosovë i ndaluan vizitën e planifikuar në Kosovë. Patriarku Porfirije kishte planifikuar të vizitonte Patrikanën e Pejës dhe disa objekte të tjera ortodokse në Kosovë. Disa barrikada janë ngritur nga data 10 dhjetor, pas arrestimit të ish-pjesëtarit të Policisë së Kosovës, Dejan Pantiç.
Ai akuzohet se organizoi “sulmin terrorist” në zyrat e Komisionit Qendror të Zgjedhjeve. Autoritetet në Kosovë shprehen se kanë kapacitete për largimin e barrikadave në veri, por i dhanë kohë misionit të NATO-s, KFOR, që të bindë serbët t’i largojnë vetë ato.
Misioni i NATO-s në Kosovë po heton atë që e quajti “incident jodirekt zjarri”, kur dje u raportua për të shtëna pranë një patrulle të tij në Zubin Potok, një nga katër komunat me shumicë serbe në veri. Pasi e konfirmoi ngjarjen një natë më parë, sot KFOR-i ritheksoi se nuk pati të lënduar ose dëme materiale. Ngjarja përfshiu persona të panjohur, të armatosur në zonën e Zubin Potokut. Nuk ka të lënduar apo dëme materiale dhe po punojmë për t’i vërtetuar të gjitha faktet.