@ the movies Celebrities Film & Tv Lajmet e fundit

Project Hail Mary: “Kur altruizmi quhet injorancë nga njerëzit, por instinkt nga alienët”

Në të njëjtën mënyrë që na kaplon një drithërimë e pamenaxhueshme kur, pa vetëdije, na vjen ndërmend një kujtim turpërues i së shkuarës sonë (një rrëzim jo vullnetar ose belbëzim kur jemi përballë dikujt që pëlqejmë), e njëjta ndjesi më mbërthen kur rastësisht mendoj për Project Hail Mary.

Rrallë (thuajse kurrë) ndodh që kritikët anembanë njëzëri të lavdërojnë një film, e akoma më rrallë të jenë në të njëjtën mendje me audiencën. E them këtë duke konsideruar faktin se herë pas here kritikët vlerësojnë një film me sekuenca 20-minutëshe të protagonistit duke ngrënë darkë vetëm, pa as edhe një monolog, me pikë maksimale. Sipas The Guardian: “Sharmi i Ryan Gosling e mban gjallë këtë mision hapësinor jo shumë serioz.” Për Arts Fuse, Project Hail Mary “mban aromën e ëmbël të botës së fantashkencës”. Ndoshta ju duken “të sheqerosura” këto kritika, ama më besoni, as nuk ia bëjnë qejfin fare Project Hail Mary-t.

Shkurtimisht, një biolog molekular dërgohet në hapësirë për të shpëtuar botën. Aty takon një alien i cili gjithashtu po mundohet të shpëtojë planetin e tij.

Bazuar në bestseller-in e Andy Weir, Project Hail Mary nis me një fakt tragjik: “Disa mikrobe alienore po shkatërrojnë diellin, gjë që do të sjellë fundin e botës”.Dr. Ryland Grace, tashmë profesor gjimnazi, dikur shkencëtar me ide radikale që për të tjerët tingëllonin si broçkulla, mund të jetë varka e vetme e shpëtimit për planetin Tokë. Ai zgjohet në anijen e tij kozmike teksa lundron në hapësirë, vetëm për të zbuluar se dy anëtarët e ekuipazhit të tij kanë ndërruar jetë. Që në nisje të filmit, përballemi me nocionin e vetmisë (këtu frika e të qenurit vetëm për shkak se je në hapësirë, medoemos është e amplifikuar). Ama ç’vlen të përmendet është fakti se doktori nuk e ka fare idenë se pse gjendet në hapësirë. I gjithë filmi është i ndarë mes konfuzionit të doktorit mbi arsyen e misionit të tij dhe “flashback-ëve (rikujtimeve)” të eventeve që sollën dërgimin e tij në hapësirë. — Tek kjo pikë do kthehem më vonë.

Gjithçka nis kur Dr. Grace haset me një tjetër anije kozmike, gjë që shënon kontaktin e parë me një krijesë extraterrestre (event që për këdo shkakton ankth, gëzim, kuriozitet dhe frikë, all-in-one, pak a shumë si një turli). Me kujdesin më të madh, të dyja palët arrijnë t’i demonstrojnë njëra-tjetrës se nuk ka asgjë për t’u shqetësuar në rast se duan të komunikojnë. Pasi e krijojnë këtë “urë” (në këtë rast jo vetëm metaforikisht, por edhe literalisht), Dr. Grace takohet me alienin Rocky (ngjan me një shkëmb të vogël, nuk ka fytyrë, por do t’ju bëjë të ndjeni më shumë emocione se skena e fundit e Titanikut).

Për t’u kuptuar me alienin, i cili komunikon me zhurma, Dr. Grace kalon një kohë të gjatë për të krijuar një fjalor ku lidh zërat e Rocky-t me fjalë të thjeshta në anglisht. Pas njëfarë kohe, dyshja ka zhvilluar një bromance ku, përveç kuptimit, kanë lindur edhe shakatë e brendshme, humori me dy kuptime dhe “shigjetime” me konotacion tallës, pak a shumë siç secili prej nesh komunikon me miqtë e tyre më të afërt. Duket sikur universi i bashkoi, sepse zgjidhjen drejt shpëtimit të dy planetëve respektiv do ta gjejnë vetëm me ndihmën e njëri-tjetrit.

 

SPOILER ALERT
Rikthehemi te arsyeja pse Dr. Grace nuk mban mend pse ndodhet në hapësirë. Përgjatë filmit zbulojmë se ai është punësuar nga Eva, drejtuese e projektit të mbrojtjes planetare, e cila është e bindur se njohuritë e tij i nevojiten ekuipazhit, pavarësisht se ai nuk është astronauti klasik. Kur ajo ia propozon Dr. Grace idenë e saj, ai nuk bie dakord, nuk ka dëshirë të jetë pjesë e misionit, madje e bën shumë të qartë qendrimin e tij teksa vrapon në një tentativë për t’u arratisur nga forcat e sigurisë së projektit. Organizatorët vendosin ta vënë në gjendje amnezie para misionit, në mënyrë që të kenë një shans më të mirë për të shpëtuar Botën, duke eliminuar faktorin e frikës dhe mosdëshirës së doktorit.

 

Teksa ndiqja filmin, nuk mund të mos e shihja me një sy tjetër Dr. Grace, pavarësisht se nuk kam qenë kurrë në këpucët e tij për ta gjykuar. E tepërt t’i referohem me fjalën individualizëm, por të jesh koshient se bota po vdes dhe se vetësakrifikimi yt do të rriste shanset që ky event të mos ndodhte, e megjithatë të refuzosh të jesh pjesë e këtij projekti më bën ta etiketoj dikë si egoist.

Më rikujton një teori filozofike të quajtur Dilema e Tramit. E di që po devijoj, po ushqim për t’u menduar. Dilema e tramit të përball me një zgjedhje imagjinare, zgjedhje që ju sugjeroj ta bëni vetë me mend:
Nëse një tren po shkon drejt 10 njerëzve dhe do të ishte në dorën tënde t’i shpëtoje duke shtyrë dikë tjetër, çfarë do të bëje? A do të sakrifikoje jetën e një personi për të shpëtuar 10-të të tjerët?

Prej kohësh, mundohem të sugjeroj filma fantashkencë që kanë të bëjnë me misione hapësinore, ku është në dorën e astronautëve të shpëtojnë botën. Kjo nuk ndodh sepse më pëlqejnë kostumet e tyre, por sepse nuk ka asnjë zhanër kinematografik që na mëson më shumë mbi altruizmin.

Në kohën ku jetojmë, dita-ditës shndërrohemi në një shoqëri akoma më individualiste ku “rrezja e shikimit” fillon dhe mbaron brenda shtëpisë sonë. Kemi interes për veten, familjarët, dy a tre miq. Edhe përballë eventeve më kaotike ku në lojë do të ishte e ardhmja e botës, të rrallë do ishin altruistët që rrezikojnë sigurinë e tyre për të tjerët. Herë pas here (dhe këtë e kam me të dëgjuar), altruizmi konsiderohet budallallëk, tipar i injorancës… kur në të vërtetë është elementi guximtar që na bën akoma më shumë njerëz.Packa se Dr.Grace drejt fundit shndërrohet në një altruist, humanizmin e vërtetë e gjejmë tek alieni Rocky.