Në një kohë kur Serbia po ato përballet me protestat antiqeveritare në rritje, presidenti serb Aleksandar Vuçiç, deklaron se ai ka mbështetjen e presidentit rus Vladimir Putin.
Në një postim në llogarinë e tij në Instagram, presidenti Vuçiç shkruan se me presidentin Putin biseduan për atë që ai e përshkroi si “një revolucion me ngjyra”, një referencë për kryengritjet në ish shtetet sovjetike.
LEXO EDHE: Protestat dhe greva e përgjithshme paralizojnë Serbinë, shtohet zemërimi popullor kundër Vuçiç. Nis tubimi masiv në Beograd
“E falënderova për faktin se zyrtarët rusë nuk e mbështesin revolucionin me ngjyra. Presidenti Putin kishte një qëndrim shumë të qartë për këtë, Rusia e kupton mirë se çfarë po ndodh dhe do të vazhdojë të mbështesë autoritetet legjitime në Serbi”, tha ai.
Biseda e presidentit serb Aleksandër Vuçiç, me homologun rus u zhvillua ndërsa studentët në Serbi janë hedhur në protesta dhe kanë bërë thirrje për një grevë të përgjithshme.
Protestat kundër korrupsionit të udhëhequra nga studentët e universiteteve janë përhapur në gjithë vendin ballkanik gjatë katër muajve të fundit, që kur 15 persona humbën jetën nga pasojat e shembjes së një çatie në një stacion treni në Novi Sad, qyteti i dytë më i madh i Serbisë.
Në protestat pothuajse të përditshme marrin pjesë dhjetëra mijëra njerëz dhe kanë tronditur kontrollin e fortë të pushtetit nga presidenti Aleksandar Vuçiç, i cili i ka përshkruar protestat si një përpjekje të organizuar nga perëndimi për ta rrëzuar atë nga pushteti.