Autoritetet japoneze në qytetin Fujiyoshida, pranë malit Fuji, kanë vendosur të anulojnë festivalin vjetor të lulëzimit të qershive, duke argumentuar se fluksi i madh i turistëve është bërë i papërballueshëm për banorët vendas dhe po dëmton jetën e përditshme të komunitetit. Festivali, i cili zhvillohej prej rreth 10 vitesh, është anuluar për shkak të mbingarkesës turistike, trafikut të vazhdueshëm, ndotjes dhe një sërë sjelljesh të papërshtatshme nga vizitorët, përfshirë shkeljen e pronës private.
“Për të mbrojtur dinjitetin dhe mjedisin jetësor të qytetarëve tanë, kemi vendosur t’i japim fund festivalit”, deklaroi kryebashkiaku i Fujiyoshida-s, Shigeru Horiuchi, duke shtuar se autoritetet ndodhen përballë një “krize serioze”. Sipas autoriteteve vendore, gjatë sezonit të lulëzimit të qershive, deri në 10 mijë turistë në ditë vizitojnë qytetin, një shifër që tejkalon ndjeshëm kapacitetin e tij. Banorët kanë raportuar raste të shumta të turistëve që hynin pa leje në oborret dhe shtëpitë private për të përdorur tualetin, ndotnin ambientet publike dhe private, parkonin në mënyrë të paligjshme madje kryenin nevoja personale në kopshte private. Autoritetet theksojnë se kjo situatë kërcënon “qetësinë dhe jetën normale të qytetarëve”.