Kryeministri Edi Rama ishte i pranishëm sot në Apolloni ku prezantoi projektet e reja për qarkun e Fierit. Rama tha se programi i punësimit mbetej pikë kyçe e detyrimeve të qeverisë në këtë qark. Ndërkaq ai tha se: “Është me rëndësi të nënvizohet që përsa i përket programit tonë të punësimit, Fieri është një nga zonat ku numri i të punësuarve është më i larti. Është me rëndësi të nënvizohet se paketën e programeve për investimet për 3 vitet e ardhshme, theksi është te rritja e mëtejshme të punësimit”. Kreu i qeverisë premtoi investime në infrastrukturë dhe turizëm. “Është e qartë që Fieri ka dhe një potencial të pashfrytëzuar turistik; vija bregdetare që është krejt e pazhvilluar, e ku ne duam të nxisim zhvillim të shpejtë e të arsyeshëm në funksion të dekadave që vijnë. Rindërtimi i plotë i një rruge në Seman; jemi në proces gare e do nisim punën për këtë rrugë duke punuar edhe me bashkinë. Kryeministri foli edhe për Bypasin e Fierit: “Bypassi i Fierit është bërë stres i madh për të gjithë ata që jetojnë në këtë zonë, por edhe për turistët e shumtë. Ky do të jetë viti i fundit të këtij stresi, se prishëm kontratat me kompanitë ekzistuese pasi nuk paguanin njëri-tjetrin. Në shtator nisim e nuk e ndalim më punën përpara sezonit tjetër turistik,” tha ai.