Një shpërthim i fuqishëm, për të cilin thuhet se lidhet me një ngarkesë të përbërësve kimikë që përdoren për prodhimin e lëndës djegëse të raketave, ka vrarë të paktën 28 njerëz dhe ka plagosur mbi 800 të tjerë në qytetin port, Bandar Abbasit, në jug të Iranit.
Autoritetet në Teheran nuk kanë dhënë shpjegim të qartë për shkakun e shpërthimit të shtunën e 26 prillit në portin Shahid Rajaei, megjithatë ekspertë të pavarur thanë se duket se është shkaktuar nga ruajtja e papërshtatshme e perkloratit të natriumit, një përbërës që përdoret në lëndën djegëse të raketave.
Sot, mediat shtetërore raportuan se shpërthimi është vënë nën kontroll.
Porti Shahid Rajaei është më i ngarkuari në Iran, pasi deri në 80% e trafikut detar të vendit kalon nëpër të.
Hossein Zafari, zëdhënës i organizatës së Iranit për Menaxhimin e Krizave, duket se për shpërthimin fajësoi ruajtjen e papërshtatshme të kimikateve në kontejnerët e portit.
Shkaktar i shpërthimit ishin kimikatet brenda kontejnerëve, i tha agjencisë së lajmeve ILNA. Më parë, drejtori i përgjithshëm i menaxhimit të krizave kishte dhënë paralajmërime për këtë port gjatë vizitave të tij dhe kishte theksuar mundësinë e rrezikut.
Sipas kompanisë private të sigurisë, Ambrey, porti kishte pranuar një ngarkesë me “lëndë djegëse raketore” në mars, e cila do të përdorej për të rifurnizuar rezervat e Iranit pas sulmeve direkte ndaj Izraelit gjatë luftës me Hamasin.
Teherani nuk e ka konfirmuar zyrtarisht se e ka pranuar një ngarkesë të tillë, por të dhënat e gjurmimit të anijeve, të siguruara nga Associated Press tregojnë mjete lundruese që besohet se transportonin këtë kimikat pranë portit, në muajin mars.
Ministria e Brendshme e Iranit tha se ka nisur një hetim për shpërthimin në port.
Ngjarjet vdekjeprurëse e kanë goditur infrastrukturën energjetike e industriale të Iranit edhe në vitet e kaluara, si shpërthime gazi e zjarre në rafineritë e naftës. Për shumë për to, neglizhenca është cilësuar shkak.
Megjithatë, Teherani ka fajësuar edhe armikun e tij të përbetuar, Izraelin, për disa prej aksidenteve, pasi ka kryer sulme në tokën iraniane duke synuar programin bërthamor të vendit.
Vitin e kaluar, Izraeli bombardoi edhe mbrojtjen ajrore të Iranit.
Irani akuzoi Izraelin për një sulm ndaj tubacioneve të gazit në shkurt 2024, si dhe për një sulm të madh kibernetik në portin Shahid Rajaei në maj 2020, duke shkaktuar kaos në transport për disa ditë pas kolapsit të sistemit kompjuterik të portit.
Porti Rajaei ndodhet rreth 1.050 kilometra në juglindje të kryeqytetit Teheran, në ngushticën e Hormuzit, gryka e ngushtë e Gjirit Persik përmes së cilës kalon 20% e gjithë naftës që tregtohet globalisht.