Bota

Trump dhe Irani konfirmojnë arritjen e marrëveshjes për t’i dhënë fund luftës!

Presidenti i Shteteve të Bashkuara, Donald Trump, tha se u arrit marrëveshje kornizë për t’i ndalur luftimet në Lindjen e Mesme, për të rihapur Ngushticën e Hormuzit dhe për t’i dhënë fund bllokadës amerikane ndaj porteve iraniane.

Marrëveshja me Republikën Islamike të Iranit tani është e kompletuar, shkroi Trump në Truth Social duke njoftuar marrëveshjen, që do ta hapë një periudhë 60-ditore për të mundësuar bisedime për një akord më të hollësishëm për paqe mes Uashingtonit e Teheranit.

Kryeministri pakistanez, Shehbaz Sharif, vendi i të cilit veproi si ndërmjetës mes Uashingtonit dhe Teheranit konfirmoi se u arrit marrëveshja për paqe dhe se ceremonia e nënshkrimit është planifikuar të mbahet më 19 qershor, në Zvicër.

Edhe Irani e konfirmoi arritjen e saj. Sot, zv.ministri i Jashtëm, Kazem Gharibabadi, deklaroi:

Eshtë shpallur përfundimi i përhershëm dhe i menjëhershëm i luftës në të gjitha frontet, përfshirë Libanin.

Zyrtari shtoi se Ngushtica e Hormuzit do të rihapet më 19 qershor, pas nënshkrimit zyrtar të marrëveshjes.

Nëse marrëveshja përfundimtare nënshkruhet vërtet, padyshim që do të përbënte hapin më të madh drejt përfundimit të konfliktit në Lindjen e Mesme e që shpërtheu më 28 shkurt kur SHBA-të e Izraeli nisën sulme ajrore kundër Iranit.

Agjencia shtetërore iraniane e lajmeve, Mehr, publikoi ato që tha se janë hollësitë e memorandumit të mirëkuptimit me 14 pika, duke theksuar se parashikon 60 ditë bisedime lidhur me çështjet bërthamore dhe heqjen e plotë të sanksioneve ndaj Teheranit.

Trump ka deklaruar se thelbi i marrëveshjes gjithëpërfshirëse për paqe do të jetë garantimi se Irani nuk do të zhvillojë kurrë armë bërthamore e se Ngushtica e Hormuzit do të mbetet e hapur për qarkullimin e lirë të anijeve.

Më herët, Reuters citoi një zyrtar të lartë iranian të ketë thënë se sipas draftit të marrëveshjes, Amerika do të lirojë asete të ngrira iraniane në vlerë 25 miliardë dollarë. Teherani do të angazhohet të mos prodhojë ose sigurojë armë bërthamore.