Bota

Rubio: Takimi Trump-Putin varet nga përparimi në dhënien fund të luftës në Ukrainë!

Një takim i mundshëm mes presidentit amerikan, Donald Trump dhe atij rus, Vladimir Putin do të varet prej përparimit që bëhet drejt përfundimit të luftës në Ukrainë, siç u shpreh Marco Rubio. Në një intervistë, sekretari amerikan i Shtetit deklaroi se në takimin e 18 shkurtit në Arabinë Saudite, ia bëri të ditur ministrit të Jashtëm rus, Sergei Lavrov, se nuk do të ketë takim derisa të dinë me qartësi se për çfarë do të mbahet.

Takime të tilla nuk zhvillohen, pa u ditur ndonjë rezultat apo se është arritur përparim, shtoi Rubio.

Në bisedimet në Riad, Shtetet e Bashkuara dhe Rusia ranë dakord për të krijuar ekipe negociatore për t’i hapur rrugë përfundimit të luftës që është nisur nga Rusia, në shkurt të vitit 2022. Si Trump, ashtu edhe Putin kanë thënë se do të dëshironin të mbanin një samit.

Prandaj e them se mbajtja e takimit do të varet nga arritja e ndonjë përparimi mbi dhënien fund të luftës në Ukrainë dhe nëse arrijmë që ai takim të vulosë marrëveshjen, secili duhet të përgëzojë presidentin Trump për aftësinë e negocimit për paqe, vuri në dukje sekretari Rubio.

Rubio i ka bërë këto deklarata teksa ka folur me gazetaren amerikane, Catherine Herridge në platformën X. Aktualisht,  Donald Trump është duke bërë përpjekje që t’i japë fund luftës, ndonëse taktikat e tij kanë alarmuar qeveritë europiane dhe atë ukrainase, pasi shqetësohen se Rusia dhe Shtetet e Bashkuara mund të bien dakord për një marrëveshje që anashkalon interesat e tyre të sigurisë.

Më 19 shkurt, Trump tronditi Ukrainën, si edhe aleatët europianë kur e quajti presidentin Volodymyr Zelensky një “diktator” dhe fajësoi Ukrainën për nisjen e luftës. Konflikti që vijon prej 3 vitesh, filloi më 24 shkurt të vitit 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën. Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra. Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.