Presidenti Bashar al-Assad është larguar nga Siria. Njoftimin e konfirmon Moska zyrtare, aleate e regjimit të tij. Rebelët morën kontrollin e kryeqytetit Damask, pas një ofensive të shpejtë. Ministria e Jashtme ruse deklaroi se Assad-i “vendosi të jepte dorëheqjen pas negociatave me pjesëmarrës në konfliktin e armatosur dhe la udhëzime për transferimin paqësor të pushtetit”. Rusia nuk mori pjesë në këto negociata.
Vendndodhja e Bashar al-Assad/it nuk dihet. Vëzhguesi sirian për të Drejtat e Njeriut, me seli në Britani, tha se herët në mëngjes, ai u largua me avion nga kryeqyteti Damask por nuk dihet se për ku. Ndërkaq, presidenti i zgjedhur amerikan, Donald Trump, shkroi në Truth Social se “Assad u largua nga Siria se Rusia, nuk ishte më e interesuar që të vazhdonte ta mbronte”.
Ky ishte një zhvillim i jashtëzakonshëm nga Siria ku qeveria ra me një fund të habitshëm të sundimit 50-vjeçar të familjes Assad, pas kësaj ofensive të papritur rebele. Televizioni shtetëror transmetoi video-deklaratën e një grupi burrash që thanë se presidenti Bashar al-Assad u rrëzua e të gjithë të burgosurit në burgje u liruan.
Kryeministri sirian, Mohammed Ghazi Jalali vuri në dukje se qeveria është e gatshme t’i “zgjasë dorën” opozitës e t’i kalojë funksionet një kabineti kalimtar. Jalali nuk konfirmoi nëse Assad u largua por e vuri theksin te tranzicioni paqësor. Herët në mëngjes, turmat në Damask thërrisnin slogane kundër Assad-it dhe iu binin borive të makinave. Në disa zona u dëgjuan të shtëna festive. Ofensiva e rrufeshme filloi më 27 nëntor 2024.
Pas rënies së regjimit të presidentit sirian Bashar al-Assad e raportimeve se u largua nga Siria por nuk dihet se ku po qëndron, lideri i opozitës izraelite, Yair Lapid bën thirrje për aleancë të re rajonale. Sipas tij, duhet të përfshijë Arabinë Saudite, si dhe vendet arabe që nënshkruan të ashtuquajturën Marrëveshje të Abrahamit me Izraelin.
Shtetet e Bashkuara dhe partnerët e aleatët, apeluan që të mbrohen civilët, përfshirë anëtarët e grupeve minoritare në Siri. “Koha për të negociuar një fund të konfliktit sirian në përputhje me parimet e përcaktuara në Rezolutën 2254 të Këshillit të Sigurimit të OKB-së”, theksoi Departamenti amerikan i Shtetit.