Nga një fregatë, Rusia lëshoi me sukses raketën e saj hipersonike Zircon. Lajmin e konfirmoi Ministria ruse e Mbrojtjes.
Lëshimi testues u krye në Detin Barents dhe goditi me sukses një objektiv detar në një distancë prej rreth 1 mijë kilometrash.
Në fillim të këtij viti, presidenti rus Vladimir Putin tha se “raketat e reja do të vihen në detyrë luftarake në të ardhmen e afërt”.
Rusët po shënojnë përparim të shpejtë edhe në Lisiçansk, përveçse në Severodonjeck, qytet thuajse i shkatërruar plotësisht e ku janë vrarë 1 mijë e 500 persona që kur nisi pushtimi, mbi tre muaj më parë. Gjithashtu, kryebashkiaku, Olesandr Stryuk informon se “deri në 13 mijë njerëz vazhdojnë të qëndrojnë në qytet, ndërsa para luftës, Severodonjecku numëronte rreth 100 mijë banorë”.
Në rajon gjenden afro 10 mijë trupa ruse, që gjithashtu kanë hyrë në disa pjesë të Severodonjeckut. Ndërkaq, Ministria britanike e Mbrojtjes raporton se “me gjasë, ata kanë marrë shumicën e territorit të Limanit”, zonë në perëndim të Severodonjeckut. Edhe Ukraina konfirmoi se “rusët kanë marrë kontrollin e shumicës së Limanit”, por se forcat e saj “po pengojnë përparimin e pushtuesve në jugperëndim”.
Gjasat janë që Moska të vendosë si prioritet kontrollin e kalimit të lumit Siverski Donjeck, që ndan Severodonjeckun nga Lisiçansku. Nëse Rusia arrin sukses, ka të ngjarë që në Kremlin kjo të shihet si fitore politike e të paraqitet para popullit rus, si justifikim për pushtimin. Një ditë më parë, Kombet e Bashkuara njoftuan për mbi 4 mijë civilë të vrarë në Ukrainë, por është e qartë se në realitet, shifrat janë shumë më të larta.
Ndërsa lufta në Ukrainë vijon prej 94 ditësh dhe Moska vendosi të ndërpresë çdo lidhje të rajonit Kherson që ka nën kontroll, me të tjera zona të territorit ukrainas. Sipas portalit të pavarur të lajmeve “Meduza”, “Kremlini po vlerëson mundësinë e një sulmi të dytë kundër Kievit”, edhe pse nuk arriti të depërtojë në kryeqytetin e Ukrainës, në fillimet e konfliktit.