Rajoni

Rusia në kontakt me Serbinë lidhur me pronësinë e NIS-it!

Ministri i Jashtëm i Rusisë, Sergei Lavrov tha sot se Moska është në kontakt me “miqtë e saj serbë” lidhur me fatin e pronësisë së kompanisë serbe të naftës NIS, e cila u vu nën sanksionet e Shteteve të Bashkuara të Amerikës. Në anën tjetër, presidenti serb, Aleksander Vuçiç, pati një takim me ambasadorin rus në Serbi, Bocan-Harçenko e tha se “nga miqtë rusë” ka kërkuar fillimin e konsultimeve dhe mbajtjen e takimeve për funksionimin e NIS-it në të ardhmen.

Diskutuam edhe për gjetjen e zgjidhjes më të mirë në interes të ndërsjellë, duke ruajtur marrëdhëniet e partneritetit dhe ato miqësore ndërmjet Serbisë e Federatës Ruse, shkroi Vuçiç në llogarinë e tij në Instagram.

Të premten e kaluar, më 10 janar, presidenti Vuçiç bëri të ditur se pas sanksioneve të reja të Shteteve të Bashkuara ndaj sektorit të naftës të Rusisë, kompanisë Gazprom Neft do t’i jepet një afat prej 45 ditësh për të dalë nga pronësia e NIS-it. Ky afat vlen edhe që Serbia të përfundojë “nënshkrimin e çdo marrëveshjeje apo kontrate me palën ruse”.

Pas kësaj, sanksionet hyjnë në fuqi plotësisht.

Kompania NIS, në pjesën më të madhe është në pronësi të Gazprom Neft-it, e cila ka aksione prej 50% dhe Gazprom-it, me 6.15% të aksioneve. Qeveria serbe mban 29.87% ndërsa aksionerët e vegjël përbëjnë pjesën tjetër. Industria e Naftës e Serbisë u sanksionua nga Departamenti i Financave i Shteteve të Bashkuara, para katër ditëve.

Kompania NIS u sanksionua për shkak të të ashtuquajturit “rrezik dytësor” e që do të thotë se “për shkak të lidhjes” me Gazprom-in rus. Richard Verma, zëvendëssekretar amerikan i Shtetit për Menaxhimin dhe Burimet, ishte në Beograd të shtunën e 11 janarit dhe bëri të qartë se Serbia nuk do të përballet me pasoja ekonomike, nëse pronësia ruse hiqet nga NIS-i.