Saimir Tahiri mbetet në “arrest shtëpie”. Shkalla e Parë e Krimeve të Rënda nuk e ndryshoi sot këtë masë sigurie. Mbrojtja e ish-Ministrit të Brendshëm kërkoi detyrim paraqitjeje, ndërsa Prokuroria, arrest me burg. Në përfundim të seancës që zgjati rreth 2 orë e 30 minuta, avokati Maks Haxhia njoftoi se do ta apelojnë masën e arrestit me burg: “Jemi të bindur që ky veprim do të prishet nga Gjykata e Apelit pasi pretendimi ynë është pretendim ligjor, sepse për ne është një masë e përsëritur marrë po nga e njëjta gjyqtare dhe një masë që është prishur herën e parë. Kemi të bëjmë me faktin që herën e parë është kërkuar masa më e lehtë ndalimi për të dalë jashtë shteti, ndërsa sot masa më ekstreme dhe kur Gjykata e Apelit gjeti pavend daljen jashtë shtetit…”, tha Haxhia. Për ish-Ministrin e Brendshëm, arresti me burg u caktua si person i dyshuar për trafik ndërkombëtar droge në bashkëpunim me Grupin Habilaj dhe korrupsion pasiv.