Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë-Hercegovinë, Christian Schmidt, mori vendimin personal për t’i dhënë fund shërbimit të tij në këtë vend, siç njoftoi sot Zyra e Përfaqësuesit të Lartë.
Për këtë vendim, njoftoi Bordin Drejtues të Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC) dhe kërkoi që të nisë procesi për emërimin e pasardhësit të tij.
Ai theksoi se do të vazhdojë të kryejë detyrën deri në zgjedhjen e pasardhësit, teksa shtoi:
Komuniteti i bashkuar ndërkombëtar mbetet i pazëvendësueshëm për stabilitetin e Bosnjë-Hercegovinës dhe për përparimin e vendit drejt aspiratave euroatlantike.
Schmidt u bëri thirrje qytetarëve e liderëve politikë nga të gjitha entitetet e nivelet e pushtetit, që t’i intensifikojnë përpjekjet e tyre dhe së bashku me pasardhësin e tij, të punojnë për zbatimin e reformave e arritjen e përparimit kyç në rrugën drejt integrimeve euroatlantike.
Përfaqësuesi i lartë ndërkombëtar në Bosnjë ka për detyrë të mbikëqyrë zbatimin e Marrëveshjes së Dejtonit për Paqe dhe të sigurojë që institucionet shtetërore funksionojnë sipas saj.
Schmidt në pozitën e përfaqësuesit të lartë
Qeveria federale e Gjermanisë e konfirmoi në mes të janarit 2021 kandidaturën zyrtare të Schmidt-it për pozitën e përfaqësuesit të lartë në Bosnjë.
Në këtë post, ai pasoi Valentin Inzkon, diplomat austriak, i emëruar në krye të Zyrës së Përfaqësuesit të Lartë (OHR) në vitin 2009.
Schmidt është politikan i Unionit Kristian-Social (CSU) dhe ish-ministër i Bujqësisë i Gjermanisë. Ai ka qenë deputet në Parlamentin federal gjerman, i angazhuar veçanërisht në çështje të politikës së jashtme.
Kush e emëron përfaqësuesin e lartë në Bosnjë?
Përfaqësuesin e ri të lartë e emëron Bordi Drejtues i Këshillit për Zbatimin e Paqes (PIC), ndërsa, më pas, ai konfirmohet edhe nga Këshilli i Sigurimit i Kombeve të Bashkuara.