Në ditën e dytë të samitit të shtatë rajonal të Guvernatorëve të bankave qendrore u diskutua mbi politikat monetare dhe stabilitetin e sistemit bankar në gjashtë vendet e Ballkanit Perëndimor. Gent Sejko, guvernator i Bankës së Shqipërisë, gjatë fjalës së tij tregoi se ekspozimi ndaj luhatjeve të kursit të këmbimit është i lartë. Kryesisht ekonomia shqiptare është e ekspozuar ndaj nivelit të lartë të euroizimit për shkak të hyrjeve nga tregtia, dhe remitancat. Edhe pse Shqipëria ka një regjim të lirë të kursit të këmbimit, megjithatë për shkak të mbiçmimit në muajt e parë të 2018-s me më shumë se 7% u detyruan që të bejnë një nderhyrje të jashtëzakonshme në treg, duke tërhequr valutë nga tregu- shpjegoi guvernatori Sejko gjatë fjalës së tij. Guvernatori theksoi se kjo ndërhyrje, e cila bëhet për herë të parë, ka për qëllim të vetëm ruajtjen e inflacionit në objektiv. Megjithatë kjo ndërhyje për Bankën e Shqipërisë po bëhet në një moment ku efektet sezonale po punojnë në të kundërt. Për shkak se priten të hyra prej turistëve, guvernatori Sejko tha se, nëse do të gjendet e nevojshme, do të detyrohen të blejnë më shumë valutë në treg”.