Brenda 24 orëve, Policia e Durrësit finalizoi një tjetër operacion policor kundër kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës nga Tunizia. Në kuadër të operacionit “Ari i zi 2” janë sekuestruar 400 mijë litra naftë, si dhe anija në balastrat e së cilës ishte fshehur kjo sasi, me qëllim kontrabandimin. Gjithashtu, kanë rënë në pranga 6 shtetas dhe janë nën hetim 5 të tjerë, sirianë, egjiptianë dhe shqiptarë, pjesëtarë të ekuipazhit të anijes.
Gjithashtu janë shpallur në kërkim 2 organizatorët e dyshuar të rastit.
Policia bëri të ditur se dje, gjatë operacionit “Ari i zi”, u sekuestruan 670 000 litra naftë e kontrabanduar me të njëjtën mënyrë, si dhe u identifikuan 10 shtetas të implikuar në rast.
Në vijim të veprimeve policore, me qëllim goditjen e rasteve të kontrabandimit të sasive shumë të mëdha të naftës, nga Tunizia, me anije, Seksioni për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare i DVP Durrës, Antikontrabanda dhe Seksioni për Mbështetjen Operacionale të Hetimit të DVP Durrës, Drejtoria për Hetimin e Krimeve Ekonomike dhe Financiare e DPPSh-së, Drejtoria e Kufirit dhe Migracionit Durrës, Guardia di Finanza Durrës, si dhe Dega e Doganës Durrës, finalizuan operacionin policor të koduar “Ari i zi 2”.
Gjatë operacionit u arrestuan në flagrancë shtetasit sirianë M.S., 56 vjeç, kapiteni i anijes, W.B., 42 vjeç, ndihmës i oficerit të parë, H.B., 47 vjeç, shefi i inxhinierëve, S.Sh., 25 vjeç, shefi i ofiçinës, F.I., 23 vjeç, mirëmbajtës i pompave të naftës, si dhe shtetasi shqiptar N.M., 34 vjeç, oficer i parë i anijes.
Gjithashtu, u identifikuan dhe u shpallën në kërkim organizatorët e dyshuar të këtij rasti, shtetasit J. K., 31 vjeç, banues në Tiranë dhe S.S., 32 vjeç, banues në Durrës. Vijon intensivisht puna për lokalizimin dhe kapjen e tyre.
Më tej, gjatë këtij operacioni, u referuan materialet në Prokurori, ku nisi procedimi në gjendje të lirë për 5 pjesëtarë të tjerë të ekuipazhit të anijes, përgjegjës për mirëmbajtjen e mjetit.
Nga kontrolli në anije, në balastrat që shërbejnë për balancimin e mjetit, u gjetën 400 mijë litra naftë e dyshuar e kontrabanduar nga Tunizia.
Materialet procedurale i kaluan Prokurorisë, për veprime të mëtejshme.