Agjencia për Mbrojtjen Civile në Gaza njoftoi se një sulm ajror izraelit sot goditi një spital, duke vrarë të paktën shtatë persona, ndërsa Izraeli tha se ka shënjestruar militantët në ndërtesën që nuk është më funksionale. Referuar të njëjtit burim, bombardimet nuk kursyen katet e sipërme të spitalit Al-Wafa në Qytetin e Gazës.
Ushtria izraelite reagoi dhe tha se ka kryer një “sulm të saktë”, që ka shënjestruar anëtarët e një ekipi të mbrojtjes ajrore të Hamasit, grupit palestinez të shpallur “organizatë terroriste” nga Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe Bashkimi Europian. Izraeli theksoi se ata po vepronin “nga një qendër komanduese që gjendet në ndërtesën ku më parë ishte spitali Al-Wafaa”.
Kjo ndërtesë, aktualisht nuk funksionon si spital, vuri në dukje ushtria izraelite.
Por, Ministria e Shëndetësisë në Gaza i hodhi poshtë këto pretendime e deklaroi se spitali ende funksionon si i tillë.
Spitali Al-Wafaa operon pjesërisht, ofron kujdes për pacientët që kanë dëmtime fizike.
Sulmi në spitalin Al-Wafaa u krye një ditë pasi Izraeli përfundoi një operacion brenda spitalit Kamal Adwan në veri të Gazës, një sulm për të cilin Organizata Botërore e Shëndetësisë tha se detyroi pacientët dhe stafin të largoheshin nga objekti.
Po ashtu, ushtria izraelite ka arrestuar drejtorin e këtij spitali, Hossam Abu Safiyeh, duke raportuar se ai dyshohet se është anëtar i Hamasit.
Që nga 6 tetori i këtij viti, Izraeli ka përqendruar operacionet e tij ushtarake në veri të Gazës, duke deklaruar se po synon që të parandalojë Hamasin që të rigrupohet. Por, po ashtu, ushtria izraelite po kryen sulme ajrore e bombardime edhe në pjesë të tjera të enklavës palestineze.