Shtetet e Bashkuara të Amerikës festojnë sot 250-vjetorin e Pavarësisë, me aktivitete në të gjithë vendin.
Fishekzjarrë në shkallë të gjerë, një fluturim i avionëve luftarakë dhe një tubim i presidentit Donald Trump janë ndër ngjarjet që shënojnë Ditën e Pavarësisë vetëm në Uashington DC.
Në Nju Jork, Filadelfia dhe Los Angeles do të organizohen koncerte festive, ku do të performojnë emra të njohur të muzikës.
Mesazhi i parë erdhi nga zëvendëspresidenti JD Vance, i cili falënderoi presidentin Donald Trump gjatë një fjalimi në Nju Jork. “Sot festojmë 250 vjet Amerikë, duke u përballur me të ardhmen pa frikë. Festojmë 250 vjet, duke provuar se çfarë mund të arrijë një popull i lirë”, tha Vance para marinarëve, oficerëve të policisë, punonjësve të emergjencave të SHBA-së, si dhe dhjetëra shefave të marinës që po vizitojnë vendin nga e gjithë bota.
Vance lexoi paragrafin e dytë të Deklaratës së Pavarësisë, ku thuhet se: “Ne i konsiderojmë këto të vërteta si provë se të gjithë njerëzit janë krijuar të barabartë, se ata janë të pajisur nga krijuesi i tyre me të drejta të caktuara të patjetërsueshme dhe midis këtyre të drejtave janë jeta, liria dhe ndjekja e lumturisë.”
Por disa ngjarje të planifikuara tashmë janë ndërprerë, pasi meteorologët paralajmërojnë për temperatura jashtëzakonisht të larta dhe stuhi, ndërsa një valë vape përvëluese përfshin pjesë të SHBA-së lindore dhe qendrore. Ngjarje të shumta në të gjithë vendin janë anuluar tashmë, ndërsa disa të tjera janë shtyrë për më vonë gjatë ditës.
Në një fjalim në malin ikonik Rushmore mbrëmë, Presidenti i SHBA-së Donald Trump e quajti festën “një nga ditët më të jashtëzakonshme në historinë e botës”. Në fjalimin e tij, ai tha se “identiteti amerikan është nën një sulm të ri”, duke shtuar se “ka pasur një përpjekje të pamohueshme… për të na rrëzuar shpirtin amerikan”.