Bota

Vapa prish festimet e 250-vjetorit të Pavarësisë, temperaturat ekstreme anulojnë aktivitetet e 4 Korrikut në disa shtete të SHBA-së

Temperaturat ekstreme kanë ndikuar te festimet e Ditës së Pavarësisë në Shtetet e Bashkuara, duke detyruar autoritetet të anulojnë ose të ndërpresin një sërë aktivitetesh publike në disa shtete, për shkak të rrezikut për shëndetin e qytetarëve.

Edhe në Washington DC, ku po zhvilloheshin aktivitetet për shënimin e 250-vjetorit të Pavarësisë së SHBA-së, një panair i madh u mbyll përkohësisht pasi disa pjesëmarrës pësuan probleme shëndetësore si pasojë e temperaturave të larta. Sipas mediave amerikane, disa persona u transportuan me autoambulancë për të marrë trajtim mjekësor.

Shërbimi Kombëtar i Motit njoftoi se më shumë se 165 milionë banorë u përballën me temperatura shumë të larta në rajonet e Bregut Lindor dhe Midëest-it, ndërsa në disa zona u regjistruan vlera pranë rekordeve historike. Kushtet e motit u cilësuan të rrezikshme, sidomos për aktivitetet e zhvilluara në ambiente të hapura.

Për rrjedhojë, një numër paradash dhe aktivitetesh festive u anuluan në shtete si Pennsylvania, New Jersey, Maryland dhe Colorado. Ndër ngjarjet më të prekura ishte edhe parada tradicionale në Philadelphia, e konsideruar një nga aktivitetet kryesore të festimeve të 4 Korrikut.

Autoritetet në Washington DC dhe në qytete të tjera lëshuan paralajmërime për rrezik të lartë nga temperaturat ekstreme, duke u bërë thirrje qytetarëve të shmangin qëndrimin e zgjatur në diell, të konsumojnë sa më shumë lëngje dhe të kufizojnë aktivitetet fizike gjatë orëve më të nxehta të ditës.

Për arsye sigurie, disa aktivitete zyrtare u shtynë ose u zhvilluan me orar të ndryshuar. Meteorologët paralajmërojnë se vala e të nxehtit pritet të vazhdojë edhe gjatë ditëve të ardhshme, ndërsa në disa rajone ekziston rreziku për stuhi të forta.