Përdorimi i helmit në shigjeta shënoi një revolucion në teknologjinë e gjuetisë njerëzore. Provat e reja sugjerojnë se kjo ndodhi dhjetëra mijëra vjet më herët se sa dihej më parë, sipas “Science Advances”.
Në maja të vogla shigjetash prej guri nga Afrika e Jugut e që datojnë 60 000 vjet më parë, studiuesit kanë gjetur gjurmë të atij që duket të jetë helm i nxjerrë nga bimët.
Zhvillimi i mjeteve të helmuara të gjuetisë mund të ketë përmirësuar lojën e të parëve tanë për të mbledhur ushqim.
Nga ana tjetër, mjetet e helmuara përfaqësojnë një teknologji shumë të sofistikuar që kërkon njohuri se si të nxirret helmi nga bimët, si ndikon helmi në pre dhe si të shfrytëzohen këto efekte për të rritur efikasitetin e gjuetisë.
Më parë, provat më të vjetra të drejtpërdrejta të armëve të helmuara vinin nga majat e shigjetave prej kocke në një varr egjiptian që datonte rreth 4 000 vjet më parë dhe majat e shigjetave prej kocke nga shpella “Kruger” në Afrikën e Jugut, afro 6 700 vjet më parë.
Megjithatë, studiuesit kishin arsye të dyshonin se teknologjia mund të ishte dukshëm më e vjetër se kaq, sepse ata kishin gjetur maja shigjetash prej kocke dhe guri shumë më të vjetra që ngjanin me ato të helmuara në madhësi dhe formë.
Por, shkencëtarët nuk kishin prova të drejtpërdrejta të helmimit në këto mjete gjuetie më të vjetra.
Në studimin e botuar në “Science Advances”, Sven Isaksson i Universitetit të Stokholmit dhe kolegët e tij tregojnë për analizat mikrokimike dhe biomolekulare të mbetjeve të gjetura në majat e shigjetave prej kuarci 60 000 vjeçare nga Streha Shkëmbore Umhlatuzana në KwaZulu-Natal, Afrika e Jugut.
Analizat zbuluan komponime toksike nga anëtarët e familjes Amaryllidaceae të bimëve që janë indigjene në Afrikën Jugore.
Autorët supozojnë se njerëzit e lashtë përdorën sekrecione nga bulbat e Boophone disticha, një specie Amaryllidaceae që dihet mirë se është përdorur për helm shigjetash.
Isaksson dhe kolegët e tij thanë se këto shigjeta të helmuara ndoshta nuk i vrisnin menjëherë kafshët pre.
Në vend të kësaj, ato do t’i kishin dobësuar kafshët me kalimin e kohës. Gjuetarët do të kishin pasur nevojë të gjurmonin kafshët e plagosura ndërsa vraponin.
Helmi është një adaptim i përparuar për njerëzit dhe këtu e shohim të shfaqet të paktën 60 000 vjet më parë, u shpreh Curtis Marean i Universitetit Shtetëror të Arizonës, i cili nuk u përfshi në studimin e ri.
Ai tha se fakti që helmi u gjet në mikrolite – vegla të vogla prej guri – është gjithashtu i rëndësishëm.
Miniaturizimi i veglave prej guri ishte një tjetër përparim kyç për njerëzit, që ndihmoi në zhvillimin e teknologjisë së harkut dhe shigjetës.
Sipas Marean, zbulimi i ri ngre pyetjen nëse zhvillimi i teknologjisë së mikrolitit lidhet me zhvillimin e helmit.