Të paktën 115 njerëz kanë humbur jetën për shkak të përmbytjeve dhe rrëshqitjeve të dheut që goditën Ruandën veriore e perëndimore pas reshjeve të dendura të shiut. Referuar burimeve zyrtare të emergjencave, mediat shtetërore në vendin afrikan paralajmërojnë se numri i viktimave mund të rritet.
Shiu që ra mbrëmë shkaktoi fatkeqësi në provincat veriore dhe perëndimore.
Agjencia e Transmetimeve të Ruandës (RBA) në faqen e saj të internetit, shkruan:
Aktualisht, shifrat paraprake të publikuara nga administrata lokale e këtyre zonave thonë se janë deklaruar si të vdekur 115 persona.
Pamje të publikuara në rrjete sociale tregojnë shtëpi të përmbytura e të zhytura në lumenj balte, rrugë të bllokuara e fusha të përmbytura plotësisht. RBA raporton se niveli i ujit ende vijon të jetë në rritje dhe për këtë arsye, shprehet se ka rrezik që të rritet numri i viktimave.
Shumica e viktimave jetonin në provincën perëndimore që kufizohet me liqenin Kivu, sipas RBA-së. Edhe pjesë të tjera të Afrikës Lindore janë goditur nga reshjet e shiut dhe përmbytjet, përfshirë Ugandën ku gjashtë persona gjetën vdekjen.
Ekspertët thonë se këto çrregullime në kushtet atmosferike po ndodhin me frekuencë dhe intensitet më të lartë, për shkak të ndryshimeve të klimës. Sipas tyre, Afrika që kontribuon më pak në ngrohjen globale, në realitet po përballet me pasojat kryesore.
Muajin e kaluar, të paktën 14 njerëz ndërruan jetë kur shirat e dendur shkaktuan përmbytje e rrëshqitje dheu në Etiopinë jugore, sipas burimeve të policisë rajonale. Në maj të vitit 2020, 65 njerëz vdiqën në Ruandë pasi shirat e dendur goditën rajonin e të paktën 194 vdekje u raportuan në Kenia.
Në fund të vitit 2019, 265 njerëz ishin mes viktimave dhe qindra mijëra u zhvendosën gjatë dy muajve me reshje të vazhdueshme shiu.