Aktualitet

Shitje kokaine dhe vjedhje, 2 shqiptarë të arrestuar në Gjermani/Pritet ekstradimi!

Dy shtetas shqiptarë u arrestuan në Gjermani dhe pritet ekstradimi në vendin tonë. Eshtë fjala për një 44 vjeçar, të cilit më 2022-shin, Gjykata e Korçës i ka caktuar arrest në burg se shiste kokainë në lokalin e tij në Pogradec, si edhe për një 20 vjeçar, i dënuar në Tiranë për vjedhje. Në njoftimin zyrtar thuhet se vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e dy shtetasve në Shqipëri.

Njoftimi zyrtar: 

Si rezultat i sigurimit të informacioneve dhe shkëmbimit të tyre, nëpërmjet Interpol Tiranës, me Interpol Wiesbaden, u finalizua operacioni policor i koduar “Exchange 2”. Në kuadër të operacionit, Policia gjermane lokalizoi dhe arrestoi provizorisht, me qëllim ekstradimin në Shqipëri, shtetasit B. S., 44 vjeç dhe K. Gj., 20 vjeç.

•Në vitin 2022, Gjykata e Korçës i ka caktuar 44-vjeçarit, masën e sigurisë “Arrest në burg”, për veprën penale “Prodhimi dhe shitja e narkotikëve”, pasi dyshohet se në mënyrë të përsëritur, ka shitur lëndë narkotike Kokainë, në lokalin e tij, në Pogradec.

•Në vitin 2024, Gjykata e Tiranës e ka dënuar 20-vjeçarin, me 6 muaj burgim, për vjedhje.

Vijon bashkëpunimi ndërmjet strukturave homologe të Interpolit, për të finalizuar procedurat për ekstradimin e 2 shtetasve, në Shqipëri.