Kryeministri Edi Rama do të marrë pjesë më 16 dhe 17 qershor në Konferencën Vjetore të Komisionit të Bllokut Lindor, një nga platformat më të rëndësishme të dialogut ekonomik dhe politik mes Gjermanisë dhe vendeve të Europës Lindore.
Gjatë vizitës së tij në Berlin, Rama pritet të zhvillojë takime me anëtarë të bordit të Komisionit të Bllokut Lindor si dhe me drejtues ekzekutivë të disa prej kompanive më të rëndësishme të Europës Lindore. Qëllimi i këtyre takimeve është nxitja e investimeve të huaja, përmirësimi i klimës së biznesit në Shqipëri dhe forcimi i bashkëpunimit ekonomik rajonal.
Në orën 18:30 të ditës së parë të konferencës, kryeministri Rama do të mbajë fjalimin kryesor në sesionin qendror të eventit, me temën “E ardhmja europiane e Shqipërisë, reforma, qëndrueshmëria dhe inovacioni në një peizazh gjeopolitik në ndryshim”. Diskutimi do të moderohet nga Michael Harms, ndërsa në panel do të marrë pjesë edhe ministrja e parë e krijuar me inteligjencë artificiale, Diella.
Pas fjalimit, sesioni do të vijojë me një pjesë pyetje-përgjigje me pjesëmarrësit e konferencës.
Në ditën e dytë të vizitës, më 17 qershor, Rama do të takohet me ministren federale të Çështjeve Ekonomike dhe Energjisë të Gjermanisë, Katherina Reiche. Takimi do të fokusohet në thellimin e bashkëpunimit ekonomik mes dy vendeve, investimet në sektorin e energjisë dhe progresin e Shqipërisë në procesin e integrimit europian.