Rrjeti social Snapchat ka vendosur të heq filtrin e shpejtësisë që u bë shkak për shumë aksidente, pas 8 vitesh. Filtri i shpejtësisë i cili përdorej nga përdoruesit për të treguar se sa shpejt po ecnin me makinë u prezantua për herë të parë në vitin 2013.

Me kalimin e viteve, shumë aksidente ndodhën për shkak të pakujdesisë së njerëzve që ecnin shpejt dhe e dokumentonin në Snapchat.
“NPR” raporton se shumë procese ligjore janë ngritur kundër aplikacionit, pasi në shumë aksidente, në disa raste edhe me humbje jete, u zbulua se të aksidentuarit kishin përdorur pak çaste para përplasjes pikërisht këtë filter.

Rikujtojmë, se Snapchat, një nga rrjetet më të njohura sociale për imazhe, sidomos te të rinjtë, më në fund ka krijuar mundësinë për të hequr të padëshiruarit nga llogaria personale. Rrjeti do të vërë në përdorim një funksion të ri, i quajtur “Friend Check Up” (Kontrolli i miqve), që u mundëson përdoruesve të kontrollojnë periodikisht që lista e personave, me të cilët kanë zgjedhur të ndajnë histori dhe përmbajtje të postuara në internet, të përputhet me dëshirat e tyre aktuale.