Aktualitet

Shumë vapë dhe fajin e ka kupola e nxehtësisë/Eshtë si t’i vendosësh kapak tenxheres që vlon!

Reuters

Pjesë të mëdha të Europës Perëndimore janë përfshirë nga një valë e fuqishme e të nxehtit, me temperatura mbi 40 gradë Celsius në Spanjë. Sipas shkencëtarëve, të tilla temperatura ekstreme që prekën edhe Francën, Britaninë, Holandën e vende të tjera, po shkaktohen nga një “kupolë e nxehtësisë” e formuar mbi Europën kontinentale.

Çfarë është kupola e nxehtësisë?

Kupola e nxehtësisë është një zonë me presion të lartë ajri në atmosferë, që mbetet e bllokuar mbi një rajon, sepse lëvizjet atmosferike përreth e pengojnë të largohet. Funksionon si të vësh një kapak mbi një tenxhere që vlon. Sistemi me presion të lartë e bllokon ajrin e nxehtë poshtë vetes, i cili ngrohet dhe përvijohet duke krijuar një “kupolë”. Kjo e intensifikon nxehtësinë dhe e pengon formimin e reve, duke lejuar më shumë rreze dielli të arrijnë në tokë.

Kupola e nxehtësisë sjell ditë të kthjellëta e me diell, por me erëra të dobëta që nuk sjellin ftohje. Sa më gjatë që kupola e nxehtësisë të qëndrojë mbi një vend, aq më shumë rrugët dhe ndërtesat, që janë të errëta, e thithin nxehtësinë dhe e mbajnë. Po ashtu, kjo bën që toka të thahet më shumë e rrit mundësinë e zjarreve.

Këto sisteme mund të zgjasin disa ditë apo javë. Parashikimet tregojnë se ky që është aktualisht do të zhduket brenda pak ditësh, çka ndodh kur një sistem tjetër moti, si për shembull stuhia, e shtyn sistemin me presion të lartë.

A ka lidhje me ndryshimet klimatike?

Kupolat e nxehtësisë nuk janë një fenomen i ri i motit. Për të konfirmuar saktësisht se çfarë ndikimi kanë ndryshimet klimatike në kupolën e nxehtësisë që po përjeton Europa Perëndimore, duhet të bëhet një studim i veçantë që e vlerëson këtë lidhje.

Por, shkencëtarët thonë se ashpërsia e temperaturave dhe koha e hershme e valës aktuale të nxehtësisë në Europën Perëndimore përputhen me mënyrën se si ndryshimet klimatike ndikojnë zakonisht në valët e të nxehtit. Shkencëtarët kanë konfirmuar tashmë se ndryshimi i klimës është duke i bërë valët e të nxehtit më intensive, më të shpeshta e më të përhapura.

Grumbullimi i gazrave serrë në atmosferë, kryesisht nga djegia e karburanteve fosile ka bërë që temperatura mesatare e planetit të rritet me kalimin e kohës. Për shkak të kësaj rritjeje të përgjithshme të temperaturave, gjatë valëve të nxehtësisë, temperaturat mund të arrijnë nivele edhe më të larta.

Spanja ka gjasa të ketë pasur qershorin më të nxehtë të regjistruar ndonjëherë, sipas Shërbimit Kombëtar Meteorologjik AEMET. Ndërkaq, qyteti juglindor i Morës në Portugali shënoi të dielën një rekord të ri kombëtar të temperaturës për qershorin: 46.6 gradë Celsius.

Sot, temperatura mesatare globale e planetit është rritur me gati 1.3 gradë Celsius që nga Revolucioni Industrial në shekullin e 19-të, kur vendet filluan të digjnin karburante fosile në shkallë industriale. Europa është kontinenti që po ngrohet më shpejt, me ritëm dyfish më të shpejtë se mesatarja globale.

A do të bëhet edhe më nxehtë?

Ndryshimi i klimës po bën që valët ekstreme të nxehtësisë si kjo aktuale të ndodhin më herët gjatë vitit dhe të vazhdojnë në muajt e mëvonshëm. Disa pjesë të Shteteve të Bashkuara u përballën gjithashtu me temperatura ekstreme, të shkaktuara nga një kupolë e nxehtësisë në dy javët e fundit./Radio Evropa e Lire