Këtë vit, në Panairin e Librit, gazetari dhe publicisti Alfred Lela erdhi me një libër me poezi, të krijuara ndër vite dhe të nxjerra në dritë nga shtëpia botuese Onufri. Libri titullohet “Solo” dhe simbolizon vetminë e mendimit dhe përballjen me fëmijën brenda autorit. Për këtë vepër, Lela është shprehur:
Është më shumë një komunikim me veten se sa një libër i bërë me synimin e çmimeve. Kam pritur 30 vite për të ardhur te ky libër dhe te ky promovim, jo si një stacion, por si njëfarë komunikimi. Është një lloj ndarjeje me fëmijërinë, ai fëmija që varet te ai shilarësi i kopertinës, është një farë mënyre ose në të gjitha mënyrat unë që rrekem dhe përpiqem me fëmijën brenda vetes.
Një fëmijë në kopertinë, një imazh i vetëm që shënjon kujtesën, ndjesitë dhe ndjenjën vetmitare të poetit. Kështu kërkon t’i shpëtojë aktualitetit Alfred Lela. Sepse poeti shënjohet përjetësisht në vargje vetëm kështu, duke i thirrur kujtesës vetëm, “solo”. “Solo” është edhe titulli i vëllimit të tij poetik. Pa pretenduar për çmime, duartrokitje të mëdha, vëllimi poetik që ndahen në tre cikle është një shprehje e ndjesive vetjake.
Për autorin, me një përvojë të gjatë në gazetari dhe publicistikë, gazetaria dhe letërsia nuk mund të bëjnë pa njëra-tjetrën. Me këtë botim, Lela shfaq te lexuesi anën personale të tij, me emocione dhe përjetime të ndryshme.
Ky libër i shkruar nga Alfred Lela, gazetar me një personalitet të spikatur për stilin e tij, racional, të shtruar dhe ironik pritet që të ngjallë shumë kërshëri, siç ngjall kërshëri edhe fakti që ai zgjedh të komunikojë intimisht me lexuesin, përmes poezisë, veçanërisht në një kohë kur poezia, siç shprehet autori në një nga vargjet e këtij libri, është si “ajo pela gërdallë/ për të cilën askush nuk vë më bast”.
Përveç groteskut, sarkazmës, që na kujtojnë edhe gazetarinë e tij, poezi të kësaj natyre, me këtë lloj peshe kritike, theksojnë një nga tiparet më rëndësishme të poezisë së tij, që është aftësia për të kuptuar përtej përditshmërisë dhe përtej perceptimit lokal, me një vizion shumë më të gjerë human, duke krijuar kështu tablonë e madhe të gjërave.
Luljeta Lleshanaku