Një sondë private zbriti sot në sipërfaqen e Hënës, por mund të jetë përmbysur në proces e sipër. Ndër të tjera ishte e pajisur me një dron dhe një automjet “Rover” nga NASA e klientë të tjerë. Kompania me seli në Hjuston, “Intuitive Machines” deklaroi se nuk ishte e sigurt nëse sonda “Athena” qëndronte drejt, e lartë 4.7 metra apo ka rënë në njërën anë, si anija e parë e saj hapësinore, një vit më parë.
Në qendrën e kontrollit, specialistët nxituan të fikin disa nga pajisjet e sondës për të kursyer energji ndërsa përpiqen të përcaktojnë problemin. Kjo është zbritja e dytë në Hënë këtë javë nga kompani private në bazë të programit të NASA-s për transportin komercial drejt Hënës. Ulja të dielën u realizua me sukses të plotë.
Sonda e re “Athena” doli nga orbita hënore siç ishte planifikuar. Zbritja prej një ore drejt Hënës, shkoi mirë deri në momentin përfundimtar, kur sistemi me laser i navigimit filloi të jepte shenja avarie. U desh pak kohë që qendra e kontrollit të misionit të konfirmonte uljen.
Jemi në sipërfaqe, njoftoi drejtuesi i misionit, njëkohësisht bashkëthemelues i firmës “Intuitive Machines”, Tim Crain. Disa minuta më vonë, ai bëri të ditur se specialistët po punonin për të vlerësuar me saktësi orientimin e sondës.
Disa orë pas uljes, Steve Altemus, shef i kompanisë, u shpreh se kishte të dhëna kontradiktore për mënyrën si u ul sonda dhe nëse kishte rënë në njërën anë. Sonda gjendej pranë objektivit të synuar për uljen, por një vëzhgim nga sonda “Lunar Reconnaissance Orbiter” e NASA- do të konfirmojë pozicionin dhe orientimin e saj gjatë ditëve të ardhshme.
E nisur javën e shkuar, sonda “Athena” po komunikonte me qendrën nga një largësi prej 375 mijë kilometrash ndërsa prodhonte energji nga rrezet diellore, siç bënë të ditur zyrtarët. Specialistët po përpiqen të aktivizojnë dronin që të fluturojë mbi një krater.
Sonda “Blue Ghost” e kompanisë “Firefly Aerospace” realizoi një ulje të suksesshme në sipërfaqen e Hënës, ditën e dielën. Pas zbritjes në skajin verilindor, pajisjet e sondës kanë mbledhur dhe material hënor për të bërë analiza. Kompania “Intuitive Machines” synoi uljen e sondës në një pllajë malore, vetëm 160 kilometra larg polit jugor. Sonda u ul në atë zonë por nuk dihet nëse ndodhet pranë pikës së synuar.