Rajoni

Sot përpjekja e 29-të për konstituimin e Kuvendit të Kosovës!

Deputetët e Kuvendit të Kosovës nuk arritën as të shtunën e 7 qershorit që të konstituonin përbërjen e re parlamentare, duke shënuar dështimin e 28-të radhazi. Ashtu si në seancat e kaluara parlamentare e të nisura prej 15 prillit, skenari mbeti i njëjtë. Pak minuta punime dhe refreni se vazhdon pas 48 orësh, që në këtë rast është dita e sotme.

Në nisje të seancës së para dy ditëve, Mërgim Lushtaku nga Partia Demokratike e Kosovës u shpreh:

Eshtë për keqardhje që qytetarëve dhe nevojave të tyre nuk po iu kushtohet vëmendja e duhur. Lëvizja Vetëvendosje (LVV), përmes këtyre lëvizjeve, vetëm synon të zvarritë procesin deri në zgjedhjet lokale, që pritet të mbahen në muajin tetor.

Armend Zemaj nga Lidhja Demokratike e Kosovës deklaroi:

Eshtë e tepërt çka po ndodh në institucionin e Kuvendit. Lëvizja Vetëvendosje ose duhet të hapë rrugë, ose duhet të ofrojë mundësi për t’i dhënë fund ngërçit.

Pas seancës të 7 qershorit, Albulena Haxhiu e LVV-së vuri në dukje se është përgjegjësi edhe e partive tjera që të kontribuojnë në konstituimin e Kuvendit.

Urojmë që të kemi reflektim, është e rëndësishme që secili deputet të jetë në krye të detyrës. Sa më parë që ndodh është më e mirë për vendin dhe qytetarët e Kosovës.

Kjo ishte hera e 20-të që Partia Demokratike e Kosovës (PDK), Lidhja Demokratike e Kosovës (LDK), Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës (AAK) dhe Lista Serbe, nuk propozojnë nga një anëtar për formimin e komisionit për votim të fshehtë për kandidaten e Lëvizjes Vetëvendosje, Albulena Haxhiu për kryetare të Kuvendit, meqë Haxhiu nuk ka arritur t’i marrë 61 votat e domosdoshme në votim të hapur.

Lëvizjes Vetëvendosje (LVV), si fituese të zgjedhjeve, i takon të propozojë kandidatin për kryetar Kuvendi dhe këmbëngul vazhdimisht se Haxhiu është figura e duhur, ndonëse për partitë tjera ajo është e papranueshme dhe konsiderohet figurë përçarëse.

Çështja e ndërrimit të mënyrës së votimit, nga e hapur në të fshehtë është dërguar për interpretim në Gjykatën Kushtetuese nga parti që në legjislaturën e kaluar ishin në opozitë. Sipas tyre, propozimet e LVV-së nuk janë kushtetuese dhe kanë kërkuar nga Gjykata:

Të vendosë një masë të përkohshme për ndalimin e mbajtjes së seancave, derisa me prioritet ta trajtojë këtë lëndë dhe të marrë një vendim.