Gjykata e Krimeve të Rënda vendos sot për ish-Ministrin e Brendshëm, Saimir Tahiri, pasi më 10 Shtator, Prokuroria kërkoi 12 vite burg. Në rast dënimi, Tahiri përfiton nga gjykimi i shkurtuar që konvertohet në 8 vjet heqje lirie. Ish-ministri akuzohet për “Korrupsion të zyrtarëve të lartë”, “Trafik të lëndëve narkotike, kryer në bashkëpunim” dhe “Grup të strukturuar kriminal”, në kuadër të dosjes “Habilaj”. Akuza e argumentuar nga Prokuroria ishte për përfshirje në 4 episode trafikimi droge në periudhën 2013-2015, por pa i detajuar rolin konkret. Në seancën e kaluar, Saimir Tahiri kërkoi pafajësi e deklaroi se “Ky është proces i montuar, i pabazuar në prova”. I shoqëruar nga avokati Maks Haxhia, ai ndodhet prej më shumë se një ore në mjediset e Gjykatës së Krimeve të Rënda ku pritet me interes vendimi.