Zvicra do të ketë punë të vështirë në 1/8 e finales në “Euro 2020”, pasi do të përballet me kampionen e botës, Francën.
Sot nga ora 21:00, Zvicra e Granit Xhakës dhe Xherdan Shaqirit do të kërkoj triumfimin ndaj Francës.
Kapiteni i ‘Helvetikëve’ ka thënë se për të kaluar Zvicra në çerekfinale duhet që Xherdan Shaqiri të jetë në formë të mirë.
“Shaqiri është lojtar i mahnitshëm. Ai është shumë i rëndësishëm për ne. Ai e ka dëshmuar këtë në vitet e fundit dhe po ashtu ndaj Turqisë. Na duhet Shaqiri në formë të mirë nesër”, ka thënë Xhaka për “Euro2020.com”.
“Jemi të qetë dhe të relaksuar, pasi e dimë mirë që nëse japim 100 %-shin tonë, mund të bëjmë diçka të madhe, ndonëse Franca mbetet favoritja e madhe. I njoh mirë Pogban dhe Kanten nga kampionati anglez dhe janë futbollistë shumë cilësorë. Pogba ka cilësi të mëdha dhe mund të vendosë i vetëm një ndeshje, ndërsa Kante është shumë i mirë në lojën pa top, por edhe atë me top. Megjithatë ne nuk do të fokusohemi te këta të dy lojtarë, por te Franca në tërësi, pasi ata kanë shumë futbollistë cilësorë”, ka shtuar më tej mesfushori.
Kujtojmë që Xherdan Shaqiri i shënoi dy gola në fitoren e Zvicrës me rezultat 3-1 ndaj Turqisë në fazën e grupeve.
Sot në 18:00 në kuadër të 1/8 të Euro2020, Kroacia përballet me Spanjën ndërsa në 21:00, luhet sfida mes Francës e Zvicrës. Ndërkaq, të martën në po të njëjtat orare spikat Angli-Gjermani dhe Suedi-Ukrainë. Aktualisht, dy çerekfinalistet e mësuara janë Danimarkë-Çeki dhe Itali-Belgjikë.