Prej afro një muaji Milani vijon bisedimet me Leverkusenin për të sjellë në “San Siro” Granit Xhakën, por duket se gjërat nuk po shkojnë ashtu siç duhet. Jo për shkak të futbollistit, pasi ky i fundit i dha “OK”-in Tares, por janë drejtuesit e aspirinasve ata që nuk janë dakordësuar me shumën e ofruar nga “Djalli”.
Një diferencë prej 5 milionë eurosh është ajo që bën që akordi mes palëve të mos arrihet. Në këtë situatë po përpiqet të përfitojë Juventus, që ka hyrë në garë për të transferuar 32-vjeçarin.
Sipas asaj që raportojnë mediat italiane, bardhezinjtë kanë një plan të qartë: shitjen e Douglas Luiz dhe afrimin e Xhakës në vendin e tij. Dëshira kryesore e Tudor, por edhe e drejtorit sportiv të “Zonjës”, ishte afrimi i dyshes Frattesi-Tonali, por duke qenë se kjo ka pak gjasa të ndodhë, një opsion shumë i mirë konsiderohet mesfushori shqiptar.
Xhaka është pro një largimi nga Leverkusen, por drejtuesit e cilësojnë lojtar kyç, ndaj nuk do ta lënë të lirë pa u paguar vlera e plotë e kërkuar.
Sipas asaj që raportohet më herët, Leverkusen kërkon rreth 16-17 milionë euro për kartonin e Granit Xhakës, ndërsa Milani ofronte deri në 12 milionë euro. Në rast se Juventus do të shesë brazilianin Luiz, atëherë Xhakës do t’i hapej rruga për në Torino.