Bota

Standard&Poors rrit vlerësimin e Shqipërisë në “BB”!

Agjencia e Vlerësimit Standard&Poor’s (S&P) njoftoi se ka rritur vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në valutë të huaj dhe vendase në “BB” nga “BB-“, me perspektivë të qëndrueshme. “Ky vendim ka reflektuar performancën e fortë ekonomike dhe fiskale të vendit gjatë viteve të fundit”, njoftoi agjencia.

S&P konfirmoi vlerësimin e kreditit sovran afatshkurtër të Shqipërisë në valutë të huaj dhe vendase në nivelin “B”, ndërsa rishikoi vlerësimin e transferimit e konvertueshmërisë (T&C) në “BBB-” nga “BB+”, referuar deklaratës së agjencisë.

Investimet e larta neto të huaja direkte (IHD), remitancat dhe rritja e shpejtë e eksporteve të shërbimeve mbështesin perspektivën e qëndrueshme ekonomike të Shqipërisë, pavarësisht tensioneve të larta gjeopolitike dhe pasigurive në prag të zgjedhjeve parlamentare të këtij viti.

S&P parashikon që rritja reale e PBB-së së Shqipërisë të mbetet mbi 3% deri në vitin 2028, e nxitur nga investimet dhe konsumi. Agjencia tha se gjithsesi, sfidat strukturore vazhdojnë, të tilla si tkurrja e forcës së punës dhe emigracioni i vazhdueshëm, ndërsa varësia e vendit nga turizmi dhe kërkesa e jashtme prej tregjeve kryesore të BE-së shton vulnerabilitetin ekonomik.

Edhe rreziqet fiskale mbeten të pranishme për shkak të nivelit të lartë të borxhit në valutë të huaj, maturiteteve afatshkurtra të borxhit vendas e angazhimeve të konsiderueshme të partneriteteve publike-private. Ndërkohë, tensionet diplomatike me Greqinë mund të paraqesin sfida për përparimin e Shqipërisë në procesin e integrimit në Bashkimin Europian, theksoi agjencia globale e vlerësimit.

Ky është rishikimi i dytë në rritje brenda një viti. Më 23 mars 2024, S&P përmirësoi për herë të parë vlerësimin afatgjatë të kreditit sovran të Shqipërisë në “BB-” nga “B+”, duke theksuar përmirësimin e pozicionit fiskal dhe të jashtëm të vendit.