Botërori i futbollit 2026 do të nisë të enjten më 11 qershor 2026 në Mexico City me ndeshjen hapëse mes Meksikës dhe Afrikës së Jugut, ndërsa finalja është parashikuar të zhvillohet më 19 korrik në New York/New Jersey Stadium. Për herë të parë në histori, turneu do të organizohet nga tre shtete: Shtetet e Bashkuara, Meksika dhe Kanadaja.
Ndeshjet do të zhvillohen në 16 stadiume të shpërndara në 16 qytete pritëse në Amerikën e Veriut, me 11 stadiume në SHBA, 3 në Meksikë dhe 2 në Kanada. FIFA ka vendosur që gjatë turneut stadiumet të përdorin emra të përgjithshëm të lidhur me qytetet, duke hequr përkohësisht emërtimet komerciale.
Stadiumi i Mexico City, i njohur për historinë e tij në Botërorët e mëparshëm, do të hapë turneun dhe bëhet impianti i parë që pret ndeshje në tre edicione të ndryshme të Kupës së Botës, pas atyre të vitit 1970 dhe 1986.
Në SHBA dhe Kanada, disa nga stadiumet më moderne dhe më të kushtueshme në botë do të jenë pjesë e turneut. SoFi Stadium në Los Angeles konsiderohet një nga impiantet më të shtrenjta të ndërtuara ndonjëherë, me një kosto rreth 5.5 miliardë dollarë, ndërsa MetLife Stadium në New York/New Jersey do të presë finalen me kapacitet prej mbi 82 mijë spektatorësh.
Stadiume si AT&T Stadium në Dallas, Mercedes-Benz Stadium në Atlanta dhe Lumen Field në Seattle dallohen për arkitekturën e tyre moderne, çatitë e lëvizshme, sistemet e avancuara të ndriçimit dhe teknologjitë e qëndrueshmërisë.
Në Kanada dhe Meksikë, impiantet si Estadio Azteca në Mexico City, Estadio Akron në Guadalajara dhe BMO Field në Toronto janë rinovuar ose përshtatur për standardet e reja të FIFA-s, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e tyre historik dhe sportiv.
Botërori 2026 pritet të jetë më i madhi në histori, si për numrin e ndeshjeve, ashtu edhe për shtrirjen gjeografike, duke e kthyer Amerikën e Veriut në qendrën globale të futbollit për më shumë se një muaj.