Bota

Stoltenberg: “Ukrainën e presin ditë edhe më të këqija!”

“Në dekada, ky i Rusisë në Ukrainë është agresioni më i keq ushtarak, me qytete, shkolla, spitale, komplekse rezidenciale të bombarduara e sulme në centrale bërthamore. Ditët e ardhshme do të jenë edhe më keq, me më shumë viktima e shkatërrim”. Kështu deklaroi sot shefi i NATO-s, Jens Stoltenberg, në përfundim të takimit të jashtëzakonshëm të ministrave të Jashtëm të vendeve të Aleancës, në Bruksel.

Kryediplomatët e NATO-s diskutuan për një “no-fly zone” në qiejt e Ukrainës, por ranë dakord se avionët e Aleancës nuk duhet të lëvizin në hapësirën ajrore ukrainase.

Një qëndrim, Jens Stoltenberg e kishte edhe për presidentin rus Vladimir Putin.

Po shohim se NATO e nënvlerësoi fuqinë e forcave të armatosura ukrainase që kanë ditur të sulmojnë e të zmbrapsin sulmet. Mbi të gjitha, kjo rrjedh nga kurajoja e treguar prej tyre.

Kreu i NATO-s bëri të ditur edhe një vendim që ka të bëjë me Finlandën e Suedinë.

Në përgjigje të agresionit rus në Ukrainë, vendosëm të forcojmë koordinimin e shkëmbimin e informacioneve me Finlandën dhe Suedinë. Të dyja vendet do të marrin pjesë në konsultimet e Aleancës lidhur me krizën. Ka një dakordësi të gjerë se duhet të bëjmë më shumë për të mbështetur Gjeorgjinë, Bosnjen e Moldavinë se mund të rrezikohen e të ekspozohen ndaj sulmeve ushtarake ruse.

Jp Morgan vlerëson se ekonomia ruse është pranë kolapsit dhe kjo për shkak të sanksioneve të vendosura nga Perëndimi: Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Europian, Britania e Madhe, si edhe nga vende të tjera.

Bilancet e luftimeve janë provizore, por vetëm dje numëroheshin mbi 2 mijë viktima, mes tyre më shumë se 100 fëmijë në rajonin e Kharkivit. Serhiy Chernov, kryetar i këshillit rajonal deklaroi:

Fshati Iakevo u shkatërrua, ka shumë viktima në këtë zonë. Po organizoj punën me qendrën e koordinimit, duke u marrë me refugjatët, si dhe furnizimet me ilaçe e ushqim.

Po në Ukrainë, trupat ruse hynë për herë të parë në qytetin portual Mykolayiv, në Detin e Zi. Në këtë mënyrë janë në gjysmë të rrugës mes Khersonit, qytetit që morën dje në kontroll dhe Odesës.

Në javën e fundit, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky i ka mbijetuar tre tentativave për ta vrarë. Kështu shkruan britanikja “Times”.

Dy grupe të ndyshme janë dërguar për ta vrarë: mercenarë të Wagner-it të mbështetur nga Kremlini e forcat speciale çeçene.

Ndërkohë, Rusia pretendon se Zelensky është larguar nga Ukraina dhe u transferua në Poloni. Këtë e bën të ditur presidenti i Duma-s, Vyacheslav Volodin i cituar nga Ria Novosti.