Bota

Kremlini hedh poshtë akuzat e Lituanisë për sulme: Histori të hartuara për shpëlarjen e trurit të popullsisë

Kremlini hodhi poshtë të mërkurën akuzat e Lituanisë se Moska po planifikon sulme ndaj infrastrukturës së vendit. Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov i ka cilësuar këto akuza si një pretekst për militarizim kundër Rusisë.

“Ky është thjesht grupi i fundit i historive të frikshme të hartuara për të vazhduar shpëlarjen e trurit të popullsisë dhe përgatitjen e saj për militarizim të mëtejshëm”, tha ai.

“Për ta arritur këtë, ata duhet ta paraqesin një vend tjetër -në këtë rast, tonin – si armik dhe ta përdorin këtë pretekst për të vazhduar ndërtimin e infrastrukturës ushtarake të NATO-s në të gjitha format e saj në të gjitha shtetet baltike”, shtoi Peskov.

Presidenti Gitanas Nauseda në një intervistë të mërkurën tha se Lituania ka informacione se Rusia po planifikon sulme ndaj infrastrukturës dhe siguria rreth vendeve të energjisë dhe transportit do të forcohet si masë paraprake.