Bota

Sulme izraelite në Gaza, 70 viktima dhe 332 të plagosur në 24 orë!

Në Gaza, Ministria e Shëndetësisë e drejtuar nga Hamasi njoftoi se 70 persona u vranë në sulmet izraelite dhe 332 u plagosën në 24 orët e fundit. Sipas deklaratës, janë 57 mijë e 338 persona të vrarë dhe 135 mijë e 957 të plagosur në Rripin e Gazës që nga fillimi i luftës, më 7 tetor 2023. Mijëra të tjerë ende konsiderohen të zhdukur.

Më herët gjatë ditës, mediat e Katarit raportuan se Hamasi iu përgjigj pozitivisht propozimit amerikan për një armëpushim në Gaza, por grupi radikal palestinez kërkon disa ndryshime të vogla, të cilat nuk i ka specifikuar.

Plotësisht të gatshëm për të filluar menjëherë një raund negociatash ishte komenti i Hamasit.

Pasi mori përgjigjen nga kundërshtarët, edhe Izraeli u shpreh i hapur për bisedime jodirekte. Një delegacion izraelit do të shkojë në Doha të Katarit. Nisur nga zhvillimet e fundit, Donald Trump paralajmëroi se mund të ketë një marrëveshje për Gazën javën e ardhshme. Presidenti amerikan u citua nga agjencia Bloomberg.

Siç u raportua nga agjencia Associated Press, nxehtësia përvëluese dhe mungesa e ujit në Gaza kanë shkaktuar një “efekt domino”, duke përkeqësuar vështirësitë e dy milion banorëve të saj. Për ministrin izraelit të Drejtësisë, tani është “koha për të aneksuar Bregun Perëndimor”. Ndërkohë, kryeministri i Izraelit, Benjamin Netanyahu u shpreh:

Hamasi nuk do të ekzistojë më. Nuk do të ketë “Hamastan”. Nuk ka kthim prapa. Ne do t’i lirojmë të gjithë pengjet.

Në një tjetër zhvillim, Irani njoftoi se ka rihapur hapësirën ajrore në të gjithë vendin, për të parën herë që nga 13 qershori kur u sulmua nga Izraeli, çka çoi në luftë 12 ditore mes dy vendeve. Ndërkaq, konflikti në Lindjen e Mesme ka hyrë në ditën e 638-të, që nga sulmi i 7 tetorit 2023 i Hamasit në territorin izraelit, me viktima e të rrëmbyer. Prej asaj dite, Izraeli nuk ka ndalur bombardimet intensive në Rripin e Gazës.