Aktualitet

Tensione në Komisionin e Medias

 

Për 90 minuta, Komisioni Kuvendor i Medias u përfshi sot nga tensione e debate të ashpra që kulmuan me përplasje fizike mes deputetëve të Opozitës dhe punonjësve të Gardës. Mollë sherri u bë prania e Kryebashkiakut Erion Veliaj, i përgatitur për seancë dëgjimore lidhur me Teatrin Kombëtar. Kryetarja Demokrate e Komisionit, Albana Vokshi i kërkoi të largohet duke i kujtuar se dëgjesa me të është për nesër, ndërsa Veliaj i tha se nuk mund të jetë, për shkak të axhendës. Vokshi u përball me refuzimin e Veliajt, i cili i vuri në dukje se prezencën e tij e kërkuan deputetët e maxhorancës. Ndërkaq, kryetarja kërkoi ndihmën e Gardës e madje i bëri thirrje Kryeparlamentarit Ruçi, të ndërhynte për zhbllokimin e situatës. Deputetët demokratë Flamur Noka dhe Ervin Salianji tentuan ta nxirrnin me dhunë kreun e Bashkisë. Erion Veliaj u largua vetë rreth orës 11:05 e pas tij, edhe Ministrja e Kulturës, Mirela Kumbaro.

Kryetari  i grupit socialist, Taulant Balla, foli sot për debatet në Komisionin e Medias. Balla paraqiti dokumentin e procedurës së Komisionit, që sipas tij tregon se ishin 2/3 e deputetëve që kërkuan prezencën e Veliajt. Balla tha se “Eshtë e papranueshme që një parti politike të dërgojë në Komision deputetë të pajisur me vezë në xhepa për të sulmuar punonjësit e Gardës”. Gjithashtu deklaroi se “Po shqyrtohen nenet për shkarkimin e Albana Vokshit nga kreu i Komisionit të Medias”. Vokshi iu përgjigj duke thënë se nuk e intimidon propozimi i Ballës e se do të vazhdojë denoncimet.