Lila Moss ka rrëmbyer vëmendjen e ndjekësve me fotografitë e reja nga pushimet në Greqi, ku modelja britanike u shfaq me një kostum banje luksoz që i vinte në pah linjat elegante. Megjithatë, nuk ishte vetëm paraqitja e saj ajo që u komentua.
23-vjeçarja, vajza e supermodeles Kate Moss, publikoi në Instagram një seri fotosh nga Athina, ku pozoi me një kostum banje të zi të markës Burberry, me vlerë rreth 380 euro. Dizajni minimalist, i kombinuar me detajet karakteristike me kuadrata në rripa, theksoi fizikun e saj të tonifikuar, shkruan DailyMail.
Por fansat vunë re edhe sensorin e monitorimit të glukozës që Lila mban në krah. Modelja nuk e ka fshehur kurrë faktin se jeton me diabet të tipit 1 dhe është vlerësuar shpesh për mënyrën se si e normalizon përdorimin e pajisjes në paraqitjet publike dhe në fushatat e modës.
Lila po kalon disa ditë pushimi në Athinë, ku është akomoduar në një resort luksoz, me çmime që nisin nga rreth 1.800 euro për natë.
Ndërkohë, karriera e saj në industrinë e modës vazhdon të ngjitet me ritme të shpejta. Ajo ka ndjekur gjurmët e nënës së saj, Kate Moss, duke u bërë një nga modelet më të kërkuara të brezit të ri.
Vetë Lila ka pranuar më herët se “huazon” shpesh veshje nga garderoba legjendare e së ëmës dhe se disa prej pjesëve të saj të preferuara i përkasin koleksionit personal të Kate.
Debutimi i saj në pasarelë erdhi në vitin 2020, kur hapi dhe mbylli sfilatën e Miu Miu për koleksionin Pranverë/Verë 2021. Që prej asaj kohe, ajo është bërë fytyrë e markave prestigjioze si Gucci, Fendi, Marc Jacobs Beauty dhe YSL Beauty, duke dëshmuar se emri Moss vazhdon të mbetet një nga më të fuqishmit në botën e modës.