Për dekada me radhë, ajo ka qenë një nga figurat më enigmatike të botës së modës. Por tani, një film i ri premton të heqë velin e misterit dhe të tregojë anën më personale të Kate Moss.
“Moss & Freud”, projekti i ri i regjisorit fitues të Oscar-it, James Lucas, sjell në ekran një kapitull të rëndësishëm të jetës së supermodeles britanike, duke u fokusuar te miqësia e saj e pazakontë me piktorin legjendar Lucian Freud dhe ndikimi që ai pati në jetën e saj.
Në film, Kate Moss interpretohet nga aktorja Ellie Bamber, ndërsa rolin e Freud e luan Derek Jacobi. Historia rikthen periudhën e fillimit të viteve 2000, kur modelja pozoi nudo për artistin për nëntë muaj rresht, një përvojë që, sipas filmit, ndryshoi rrjedhën e jetës së saj.
Regjisori James Lucas ka treguar se raporti mes Moss dhe Freud shkoi shumë përtej marrëdhënies artist-model.
Për muaj të tërë, modelja kalonte net të gjata në studion e piktorit, duke reflektuar mbi jetën, sfidat dhe pasiguritë e saj. Sipas filmit, ishte pikërisht kjo periudhë që e ndihmoi Kate të përballej me veten dhe të merrte vendime të rëndësishme personale.

Lucas beson se Freud luajti një rol kyç në mënyrën se si Moss e shihte veten, në një kohë kur fama dhe presioni publik po linin gjurmë të forta në jetën e saj.
Pse Kate Moss pranoi më në fund? Për vite me radhë, supermodelja kishte refuzuar çdo projekt që synonte të tregonte historinë e saj.
Megjithatë, “Moss & Freud” arriti ta bindte. Kate Moss jo vetëm që dha miratimin e saj, por u përfshi edhe si producente ekzekutive e filmit.
Sipas Lucas, gjithçka nisi me një letër të shkruar me dorë, ku ai shpjegonte pse e konsideronte këtë periudhë si një nga momentet më vendimtare të jetës së saj. Kjo qasje e sinqertë duket se ishte arsyeja që modelja vendosi të hapte për herë të parë një pjesë të historisë së saj personale.
Filmi prek edhe disa nga episodet më të dhimbshme të jetës së Kate Moss. Një nga skenat më prekëse e tregon atë duke kujtuar një eksperiencë traumatike nga rinia, gjatë një prej fotosesioneve të saj të para pa bluzë.
Sipas rrëfimit, ajo u ndje nën presion dhe e shfrytëzuar emocionalisht, aq sa qëndroi e izoluar për javë të tëra pas përfundimit të fotosesionit.
Premtova se nuk do të ndihesha më kurrë ashtu
-thotë personazhi i saj në një nga momentet më emocionale të filmit.
“Moss & Freud” ndalet gjithashtu te jeta private e modeles, përfshirë marrëdhënien me Jefferson Hack, themeluesin e revistës “Dazed & Confused” dhe babain e vajzës së saj, Lila Grace Moss.
Filmi rikrijon edhe atmosferën e egër të Londrës së viteve 2000, me festa luksoze, pasarela, artistë dhe net që dukej se nuk kishin fund.
Një nga momentet më të shumëpritura është rikrijimi i festës së famshme të 30-vjetorit të Kate Moss, “The Beautiful and the Damned”, e cilësuar dikur nga Vogue si simbol i ekstravagancës së asaj epoke.
Mes momenteve më kontroverse të filmit është një skenë ku Moss dhe Freud shfaqen duke konsumuar opium gjatë kohës që punonin së bashku.
Regjisori ka theksuar se filmi nuk synon të idealizojë marrëdhënien e tyre, por të paraqesë një tablo sa më reale, me tensionet, debatet dhe lidhjen e fortë emocionale që i bashkonte.
Ndryshe nga biografitë tradicionale, “Moss & Freud” nuk përpiqet të tregojë gjithë jetën e Kate Moss. Filmi fokusohet në një periudhë të shkurtër, por vendimtare, kur modelja po përballej me transformime të mëdha personale dhe profesionale.
Për publikun, ky projekt përfaqëson një mundësi të rrallë për të parë jo ikonën e modës, por gruan që fshihet pas saj.
“Moss & Freud” ka nisur shfaqjet në kinematë britanike që nga 29 maji dhe po konsiderohet si një nga filmat më të komentuar të vitit, falë premtimit për të zbuluar anën më njerëzore të Kate Moss.