Sport

Tre gola për tre pikë! Kombëtarja mund 3-0 Andorrën, shënon dy herë Manaj në pjesën e parë, pastaj Uzuni. Vjen fitorja e parë në Grupin K

Kombëtarja kuqezi dominoi dhe fitoi 2-0 ndaj Andorrës në “Arenën Kombëtare”. Protagonist Rey Manaj, i cili realizoi në minutën e 9-të dhe 19-të. Uzuni trefishoi në shtesë.  Në ndeshjen e dytë të kualifikueseve të Botërorit 2026, të besuarit e Silvinjos lanë pas humbjen me Anglinë dhe morën tre pikët e para në Grupin K.

Ndeshja u përcoll drejtpërdrejt në DIGITALB.

Trajneri Silvinjo vendosi të surprizonte me formacionin titullar në duelin ndaj Andorrës, duke hedhur në fushë një Shqipëri me shumë forca në sulm. Duket se këto zgjedhje i dhanë të drejtë brazilianit, teksa kuqezinjtë e mbyllën pjesën e parë me rezultatin 2-0.

Trajneri Silvinjo ka bërë zgjedhjet e tij, duke provuar ndryshime të mëdha. Trajneri nuk ka ndryshuar prapavijën e kuqezinjve në krahasim me ndeshjen me Anglinë por ka bërë një lëvizje në mesfushë, duke larguar Ramadanin për t’i bërë vend debutuesit Shehu.

Ndërkohë në sulm nuk luajti asnjë nga titullarët e ndeshjes me Anglinë, pasi në krahë janë Hoxha dhe Broja, me Manajn në qendër të sulmit. Ajo çka përbën më së shumti lajm është ulja në stol e Jasir Asanit. Nuk kishte ndodhur asnjëherë më parë në epokën “Silvinjo”, që 29-vjeçari të mos aktivizohej nga minuta e parë.