Presidenti amerikan, Donald Trump tha se dëshiron “të marrë naftën në Iran” e ndoshta të pushtojë ishullin Kharg, ndërsa në të njëjtën kohë këmbënguli se Uashingtoni po ecën “jashtëzakonisht mirë” në negociatat me Republikën Islamike dhe se ai është “mjaft i sigurt” që një marrëveshje paqeje do të arrihet “së shpejti”.
Kombinimi i kërcënimeve dhe mundësisë për një marrëveshje paqeje me Teheranin erdhën në një intervistë të publikuar në Financial Times e në deklarata për gazetarët, në bordin e Air Force One.
Para gazetarëve, Trump përshëndeti përparimin në bisedimet me Iranin, duke thënë se po zhvillohen drejtpërdrejt dhe indirekt, me udhëheqës “të arsyeshëm” e pohoi se Teherani po e hap pjesërisht Ngushticën jetike të Hormuzit, rruga ujore përmes së cilës kalon rreth 20% e furnizimeve botërore me naftë dhe gaz natyror.
Ndërkaq, nuk dha hollësi për ato që i quajti “bisedime të drejtpërdrejta me Iranin”, udhëheqësit e të cilit mohojnë se po zhvillohen negociata.
Teherani konfirmoi se mori, shqyrtoi e refuzoi një plan paqeje me 15 pika të SHBA-ve, që u dorëzua përmes ndërmjetësve pakistanezë.
Trump u shpreh:
Ne po bëjmë punë jashtëzakonisht të mirë në ato negociata. Por, kurrë nuk e di me Iranin. Negociojmë me ta dhe pastaj gjithmonë duhet t’i hedhim në erë… qoftë me bombardues B52 ose duke e grisur marrëveshjen bërthamore të vitit 2015 që Teherani nënshkroi me fuqitë botërore, përfshirë Shtetet e Bashkuara, Rusinë dhe Kinën.
Mendoj se do të bëjmë një marrëveshje me ta. Jam mjaft i sigurt. Por është e mundur që të mos e bëjmë. Por, ne kemi pasur tashmë ndryshim regjimi. Regjimi [iranian] u shkatërrua, u asgjësua. Të gjithë janë të vdekur.
Pa u treguar specifik, shefi i Shtëpisë së Bardhë vuri në dukje se udhëheqësit aktualë kanë qenë “shumë të arsyeshëm”.
E shoh një marrëveshje në Iran. Mund të jetë së shpejti, deklaroi Trump.
Në intervistën për FT, Trump tha:
Preferenca ime do të ishte të merrja naftën.
Situatën, e krahasoi me të Venezuelës, duke thënë se synon të marrë kontrollin e industrisë së naftës së vendit “për një kohë të pacaktuar” pasi forcat amerikane kapën udhëheqësin Nicolas Maduro, në muajin janar.