Bota

Turqia akuza Izraelit: Po e çon Lindjen e Mesme drejt një katastrofe të plotë!

Ministri i Jashtëm i Turqisë, Hakan Fidan, akuzoi Izraelin se po e çon Lindjen e Mesme drejt një “katastrofe të plotë” me sulmet ndaj Iranit dhe që i nisi më 13 qershor.

Izraeli tani po e çon rajonin në prag të një katastrofe të plotë duke sulmuar Iranin, u shpreh sot Fidan gjatë një samiti të Organizatës për Bashkëpunim Islamik në Stamboll. Nuk ka ndonjë problem palestinez, libanez, sirian, jemenas apo iranian, por ka qartazi një problem izraelit, vuri në dukje Fidan.

Kryediplomati turk bëri thirrje për dhënien fund të “agresionit të pakufizuar” ndaj Iranit.

Duhet ta parandalojmë që situata të përshkallëzohet në një spirale dhune që do të rrezikonte edhe më shumë sigurinë rajonale dhe globale.

Duke folur pas Fidanit, presidenti turk, Recep Tayyip Erdogan, akuzoi udhëheqësit perëndimorë për ofrim të “mbështetjes së pakushtëzuar” për Izraelin. Erdogan deklaroi se Turqia nuk do të lejojë që kufijtë në Lindjen e Mesme të ndryshohen “me gjak”.

Eshtë thelbësore që ne të tregojmë më shumë solidaritet për të ndalur banditizmin e Izraelit, jo vetëm në Palestinë, por edhe në Siri, Liban dhe Iran, tha ai duke iu drejtuar 57 vendeve anëtare të Organizatës për Bashkëpunim Islamik.

Organizata për Bashkëpunim Islamik, e themeluar në vitin 1969, zotohet se misioni i saj është që “të mbrojë dhe ruajë interesat e botës myslimane në frymën e promovimit të paqes e harmonisë ndërkombëtare”.