Ushtria izraelite deklaroi se sulmoi një strukturë bërthamore në qytetin iranian të Isfahanit, ku ndodhet pjesa më e madhe e infrastrukturës bërthamore të Iranit.
Sulmet e natës shënjestruan objektet e prodhimit të centrifugave të uraniumit në central.
Infrastruktura bërthamore e Isfahanit u sulmua në ditën e parë të fushatës ushtarake në shkallë të gjerë të Izraelit kundër Iranit, e cila filloi më shumë se një javë më parë.
Sulmet e fundit kishin për qëllim të shkaktonin dëme të mëtejshme në central.
Sipas Radios Shtetërore të Iranit që citoi një zyrtar sigurie, nuk u liruan substanca të dëmshme pas sulmeve në centralin bërthamor. Ai i bëri thirrje popullsisë të qëndrojë larg objektit. Ndërkaq, zyrtari vuri në dukje se Izraeli sulmoi edhe objektiva të tjerë në Iranin qendror, por se nuk janë raportuar viktima.
Isfahani, rreth 350 kilometra në jug të kryeqytetit Teheran është baza e pjesëve thelbësore të programit bërthamor të Iranit. Sipas kreut të Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), katër ndërtesa në vend janë dëmtuar deri më tani nga sulmet izraelite.
Këto përfshijnë një laborator kimik, një fabrikë për përpunimin e xehes së uraniumit, një fabrikë për prodhimin e karburantit të reaktorit dhe një fabrikë për prodhimin e metalit të uraniumit që ishte ende në ndërtim e sipër.