Bota

Turqia ndaloi 9 gazetarë që mbulonin protestat kundër arrestimit të Imamoglut!

Autoritetet turke ndaluan 9 gazetarë, të cilët po mbulonin protestat e orëve të natës në disa qytete, kundër arrestimit të kryebashkiakut të Stambollit, Ekrem Imamoglu. Kjo u njoftua sot nga Unioni i Gazetarëve i Turqisë. Ende nuk është e qartë arsyeja e ndalimit të tyre.  Një gjykatë turke, dje urdhëroi burgosjen e Imamoglut, rivalit kryesor të presidentit Recep Tayyip Erdogan, në pritje të gjykimit nën akuzat për korrupsion.

Arrestimi i Imamoglut javën e kaluar ka nxitur protestat më të mëdha në vend në dekadën e fundit. Në shumë qytete, protestat në rrugë u ndaluan nga autoritetet, por kjo nuk i ka frenuar qytetarët që të protestojnë kundër qeverisë.

Forca kryesore opozitare, Partia Republikane Popullore (CHP), ka bërë thirrje për protesta kundër vendimit të gjykatës për Imamoglun, duke e cilësuar vendimin “të politizuar” dhe “jodemokratik”. Qeveria turke mohon që hetimet të jenë të motivuara politikisht dhe thotë se gjykatat janë të pavarura.

Imamoglu i ka hedhur poshtë akuzat me të cilat ngarkohet, duke i quajtur “shpifje të papërfytyrueshme”, si dhe ka bërë thirrje për protesta në mbarë vendin. Në një fjalim gjatë demonstratës në Stamboll, para selisë së bashkisë, lideri i CHP-së, Ozgur Ozel, u shpreh një ditë më parë se ata do të vazhdojnë protestat derisa Imamoglu të lirohet.

Një fotograf i stafit të Agence France Presse (AFP) është mes gazetarëve të ndaluar, siç u raportua në një postim në X.

Ministri i Brendshëm, Ali Yerlikaya, shkroi në rrjetet sociale se mbi 340 persona u arrestuan gjatë protestave në qytetet kryesore.

Nuk do të ketë tolerancë për ata që kërkojnë të prishin rendin shoqëror, të kërcënojnë paqen dhe sigurinë e popullit e që mbjellin kaos e provokime në qytete si Stambolli, Ankaraja, Izmiri, Adana, Antalia, Çanakale, Eskishehiri, Konia dhe Edrene.

Disa vende europiane kanë shprehur shqetësim për zhvillimet në Stamboll, duke thënë se kanë frikë për pasojat ndaj demokracisë pas këtij veprimi.

Arrestimi i kryebashkiakut është thellësisht shqetësues, deklaroi presidentja e Komisionit Europian, Ursula von der Leyen. Turqia duhet t’i respektojë vlerat demokratike, veçanërisht të drejtat e zyrtarëve të zgjedhur.