Këngëtarja afrikano-jugore Tyla ka reaguar për herë të parë gjerësisht ndaj debatit që shpërtheu vitin e kaluar pasi ajo e përshkroi veten si “coloured”, një term që në Afrikën e Jugut përdoret për njerëzit me prejardhje të përzier racore, por që në Shtetet e Bashkuara ka një histori krejt tjetër dhe shpesh konsiderohet fyes.
Artistja 24-vjeçare nga Johannesburgu u përball me kritika në vitin 2023, pasi një video e vjetër e publikuar në TikTok u bë virale.
Në të, ajo prezantohej si “një afrikano-jugore coloured”, gjë që nxiti reagime të shumta, veçanërisht nga përdoruesit amerikanë të rrjeteve sociale.
Duke folur për këtë përvojë, Tyla pranoi se në fillim e kishte të vështirë të kuptonte arsyen e polemikave, pasi për të ky term kishte qenë gjithmonë një pjesë e natyrshme e identitetit të saj.
Këngëtarja tha se vetëm pasi nisi të udhëtonte në vende të ndryshme kuptoi se e njëjta fjalë mund të ketë kuptime dhe ngarkesë historike krejtësisht të ndryshme, në varësi të vendit dhe kulturës.
Sipas saj, në Afrikën e Jugut identiteti “coloured” nuk lidhet vetëm me racën, por edhe me një kulturë dhe histori specifike të komuniteteve me prejardhje të përzier, të formuara gjatë periudhës së aparteidit.
Megjithatë, Tyla theksoi se kjo nuk përjashton një pjesë tjetër të identitetit të saj.
Jam gjithashtu zezake
-u shpreh artistja, duke sqaruar se të dyja këto identitete janë pjesë e historisë dhe prejardhjes së saj.
Ajo shtoi se komuniteti “coloured” në Afrikën e Jugut është produkt i një periudhe të dhimbshme të ndarjes racore dhe diskriminimit, por se me kalimin e viteve ky identitet është shndërruar në një burim krenarie kulturore për shumë njerëz.
Tyla pranoi gjithashtu se kjo është një temë e ndërlikuar dhe se ndoshta nuk do të ketë kurrë një përgjigje që do t’i kënaqë të gjithë.
Sipas saj, kuptimi i fjalëve ndryshon nga një shoqëri në tjetrën dhe është e rëndësishme të kuptohet konteksti historik dhe kulturor në të cilin ato përdoren.
Artistja u bë e njohur në mbarë botën në vitin 2023 me hitin “Water”, i cili pushtoi klasifikimet muzikore ndërkombëtare dhe u kthye në një fenomen global falë një sfide virale në TikTok.