Eneo Bitri do të luajë në kampionatin polak në pjesën e dytë të këtij sezoni. Mbrojtësi 27-vjeçar, ka lënë pas krahëve eksperiencën në Norvegji dhe tashmë do të tentojë që të tregojë vlerat e tij duke qenë protagonist në kampionatin polak. Bitri kishte luajtur pjesën e parë të sezonit me Valerengën në Norvegji, por skuadra e tij ra nga kategoria pas ndeshjeve play-off. Kjo bëri që ai të kërkonte një sistemim të ri dhe ka gjetur tashmë akordin me KS Krakovia në kampionatin polak, Ai ka qenë në stërvitje me klubin dhe këto ditë është arritur akordi për huazimin e tij deri në fundin e sezonit nga skuadra norvegjeze. Bitri pritet të luajë titullar te skuadra e re, e cila luan me tre në prapavijë ndaj ka përforcuar radhët me një tjetër mbrojtës qendre, duke besuar te cilësia dhe eksperienca e futbollistit shqiptar. Ndërkohë ishte përfolur se Bitri mund të rikthehej tek Partizani por nuk ka rezultuar kështu.
Sa i përket Partizanit, Klubi i kuq dita-ditës po bëhet një “market” i preferuar i klubeve më të mëdha europiane. Të kuqtë kanë në skuadër disa emra mjaft tundues, që në të ardhmen mund t’i dëgjojmë në arena shumë më të mëdha. Për sa i përket merkatos në hyrje, aktualisht merkatoja e Partizanit është ndalur me rikthimin e Xhuliano Skukës dhe transferimin e Redon Ismailit. Së fundmi, drejtori Arbër Abilaliaj u shpreh se po punohet edhe për dy profile të reja lojtarësh, por aktualisht nuk ka asgjë konkrete dhe të mbyllur.