Aktualitet

U nda nga jeta pak ditë më parë, homazhe për Artan Lamen!

Në mjediset e Akademisë së Shkencave u mbajtën homazhet e lamtumirës së fundit për Artan Lamen, i ndarë nga jeta në moshën 58-vjeçare. Të shumtë shkuan për t’i bërë nderimet e fundit, mes tyre kryetarja e Kuvendit të Shqipërisë, Elisa Spiropali, ministri i Ekonomisë, Kulturës dhe Inovacionit, Blendi Gonxhja, ministri i Drejtësisë Ulsi Manja, ministri i Brendshëm, Ervin Hoxha, si edhe përfaqësues të Shoqatës së Koleksionistëve të Shqipërisë, ku Lame ishte një prej themeluesve të saj, krahas miqve e bashkëpunëtorëve të shumtë.

Të pranishmit, pasi ngushëlluan familjarët e afërt të Artan Lames, lanë mesazhet e tyre në librin e ngushëllimeve. Artan Lame ndërroi jetë në Mynih të Gjermanisë, ku kishte shkuar për një ndërhyrje në zemër.

Lame ishte publicist, opinionist, studiues i historisë shqiptare dhe një veprimtar për mbrojtjen e trashëgimisë kulturore të vendit. Ai la gjurmë si pjesë e shoqërisë civile por edhe si funksionar publik.

I pyetur nga mediat se si do ta kujtonte Artan Lamen, ministri i MEKI, Blendi Gonxhja tha se e kishte njohur që prej ministrisë së parë të Kulturës.

Në Ministrinë e Kulturës ku e thirra vetë të bashkëpunonte, në bashkinë e parë, e më pas në shumë institucione ku jeta na ka bashkuar. Sot, jo vetëm shoqëria por vendi ka humbur një kujdestar të rrallë, unik, të trashëgimisë kulturore e historike.

Shumë detyra që mori përsipër, i kreu me sukses, si një i apasionuar i trashëgimisë kulturore e si autor librash të çmuar që rrallëkush do t’u kthehet për t’i bërë edhe një herë, deklaroi botuesi Fatmir Toçi.

Auron Tare, një mik i të ndjerit, u shpreh pas homazheve se njerëz si Lamja janë të rrallë.

Ata kërkojnë të përmirësojnë kulturën shqiptare, shoqërinë shqiptare, kur e gjejnë me gabime e hipokrizi. Por, ne i përkasim kësaj kulture dhe do të donim të ishte më e mirë, më e arrirë e më e ndriçuar. Këtu qëndronte dhe dyzimi i Artan Lames, që një pjesë e panë si funksionar publik, por ai ishte i dashuruar me kulturën e trashëgiminë shqiptare. Ne që ishim pranë, e kuptonin pasionin e tij, vuri në dukje Auron Tare.

Fjalimin e lamtumirës do ta mbajë një nga miqtë e bashkëpunëtorët e afërt, Artan Shkreli.